Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, udhëhoqi ceremoninë e së Shtunës së Madhe të Pashkëve në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, në kushte të pazakonta sigurie dhe pjesëmarrjeje të kufizuar.
Në këtë ceremoni tradicionale, patriarku u shoqërua vetëm nga një numër i reduktuar klerikësh, për shkak të kufizimeve të vendosura nga Komanda e Mbrojtjes Civile e Izraelit, në kuadër të situatës së tensionuar të luftës në Lindjen e Mesme.
Kadinali Pierbattisa Pizzaballa u shpreh se besimtarët që arritën të mblidheshin në Kishën e Varrit të Shenjtë ishin në një moment paqeje, ndërsa tha se bota rreth nesh po shkatërrohet. Ai bëri thirrje për të gjetur shpresën në jetë mes luftës dhe izolimit teksa tha se bota duhet të kaloje nga frika në besim.
Kisha e Varrit të Shenjtë, një bazilikë e madhe që daton që nga shekulli i 12-të, konsiderohet nga tradita e krishterë si vendi ku Jezu Krishti u kryqëzua dhe u varros, duke e bërë atë një nga vendet më të shenjta për besimtarët në mbarë botën.
Ngjarja vjen pas polemikave të forta të javës së kaluar, kur policia izraelite pengoi udhëheqësit katolikë të hynin në kishë për të kremtuar një meshë private me rastin e së Dielës së Palmave – një zhvillim i paprecedentë në shekuj. Ky veprim shkaktoi reagime dhe kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Ndërkohë, shumë prej vendeve të shenjta në Jeruzalem, përfshirë edhe Kishën e Varrit të Shenjtë, mbeten të mbyllura për publikun për shkak të konfliktit në vazhdim me Iranin, ndërsa qyteti ka qenë objekt i sulmeve të shpeshta me raketa.
Megjithatë, në orët e para të së hënës së kësaj jave , policia izraelite njoftoi se kishte miratuar një “kornizë të kufizuar lutjeje” për kishën, në koordinim me Patriarkanën Latine të Jeruzalemit, duke lejuar zhvillimin e ritualeve fetare në një formë të reduktuar.
