Kontrolli i banesës nuk ankimohet/ Beqaj kundër procedurës penale: Ankim si për sendet e skuestruara

AKTUALITET


Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar ashpër për mënyrën se si zbatohen procedurat për ushtrimin e kontolleve dhe sekuestrimin e sendeve që merren për dobi të hetimeve të prokurorisë.

Beqaj ka sjellë në vëmendje ndryshimet e vitit 2017 në kodin e procedurës penale, që sipas tij sjellin paqartësi pasi pengojnë individin të ankimojë vendim e gjykatës për lejim kontrolli, në kuadër të të cilit sekuestrohen sende personale.

“Sekuestrimet për kërkimin e provës në përgjthësi ndodhin gjatë zbatimit të një vendimi kontrolli personi, banese apo vendi. Sipas procedures penale vendimi për lejimin e kontrollit nuk mund të ankimohet nga personi ndaj të cilit ushtrohet kontrolli,”- thotë ai.

Ish zyrtari i nivelit të lartë, sjell në vëmendje pikën 1 të nenit 207, i cili thotë se sendet e gjetura gjatë kontrollit sekuestrohen, me kusht që të jenë të përcaktuara në vendimin për lejimin e kontrollit.

Ky i fundit e cilëson kurth të pastër institucional sekuestrimin e sendeve nga ana e prokurorëve, pasi vendimi është i paankimueshëm në gjykatë, duke mohuar në këtë mënyrë lirinë që i takon ccdo qytetari , të garantuar me Kushtetutë.

“Ligji procedural të njeh të drejtën e ankimimit të sekuestros se sendit, por organet ligjzbatuese nuk të japin një akt konkret duke të privuar praktikisht të drejtën e ankimimit. Mungon akti që të mund të kundërshtosh,” – vijon ai. 

Përmes një reagimi që u përcoll në platformën Facebook nga avokati i tij, Beqaj kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë të korrigjojë gabimet e përfshira në kodin e procedurës penale në mars 2017.

Po ashtu, ish ministri që mbahet në paraburgim prej korrikut të vitit 2024, kërkon që Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë duhet të rregullojnë procedurat e sekuestrimit në përgjithësi duke i garantuar kujtdo të drejtat që i njeh Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetuta.



Skip to toolbar