Kush është trajneri i ri kuqezi? Rolando Maran, 25 vjet karrierë, por Shqipëria Kombëtarja e parë

KOMBËTARE


Kombëtarja e Shqipërisë kthehet sërish nën drejtimin e një trajneri italian. Rolando Maran u prezantua në pankinën e skuadrës kuqezi, duke zëvendësuar Sylvinho, ndërsa përpara tij të tjerë teknikë nga përtej Adriatikut kanë drejtuar përfaqësuesen shqiptare.

Disa me sukses si De Biazi apo Edy Reja, ndërsa të tjerë si Dossena dhe Panucci kanë dështuar.

Por kush është Rolando Maran?

I lindur në Trento, tekniku 62 vjeçar ka një CV të pasur në emra skuadrash gjatë 25 viteve si trajner, por gjithsesi jo ndonjë ekselencë të futbollit italian.

Që nga detyra e parë si trajner në vitin 2002 te Citadella, Maran ka drejtuar shumë ekipe në Serie A dhe Serie B të futbollit italian, si Brescia, Bari, Katania, Chievo, Cagliari, Genoa apo Pisa.

Sukseset më të mëdha në karrierën e tij si trajner i ka shënuar pikërisht me Chievo në vitet 2014/2018 dhe më pas te Cagliari.

Në edicionin e tij të parë në pankinën e skuadrës nga Sardenja, Maran iu afrua kualifikimit në Kupat e Europës, por në pjesën e dytë të sezonit, ekipi I tij humbi terren dhe në fund vetëm sa arriti objektivin e qëndrimit në Serie A.

Detyra e fundit e Rolando Maran ka qenë në pankinën e Breschia në Serie B deri në shtator të vitit të kaluar.

Në prezantimin e tij me kombëtaren e Shqipërisë, Maran e përshkroi veten si një trajner që kërkon grintë dhe që skuadrat e tij të kontrollojnë lojën, ndërsa sipas statistikave të “Transfermarkt”, në dy vitet e fundit moduli më i përdoruar nga ai ka qenë 4-3-1-2.

Gjithsesi, këto janë vetëm të dhëna në letër, ndërsa më shumë do të mësohet në debutimin e tij me kombëtaren e Shqipërisë në miqësoret e qershorit kundër Izraelit dhe Luksemburgut.



Skip to toolbar