Kryeministri i vendit, Edi Rama ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Europian, i cili ka akorduar një tjetër mbështetje financiare për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Brukseli miratoi këtë javë disbursimin e 49 milionë eurove, duke e çuar në 212 milionë euro totalin e fondeve të përfituara deri tani nga Shqipëria, shifra më e lartë mes vendeve të rajonit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky financim është rezultat i reformave dhe progresit të certifikuar nga Komisioni Europian në procesin e integrimit.
Sipas tij, Plani i Rritjes bazohet në rezultate konkrete dhe objektive, duke e cilësuar Shqipërinë si një “histori suksesi” që ndërtohet përmes vizionit, punës dhe reformave të vazhdueshme.
Rama falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe ritheksoi se rruga europiane e Shqipërisë do të vijojë pa u ndalur.
“Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave, është njëkohësisht vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes.
Plani i Rritjes është një plan financimi mbi bazë rezultatesh dhe janë rezultate të certifikuara nga Komisioni Europian, të padiskutueshme në objektivitetin e tyre, sepse, ndryshe nga sa e përflasin ditë e natë ata që në fund gjithmonë humbasin, Shqipëria jonë, Shqipëria europiane që po ndërtojmë, është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma, nuk bëhet me shpifje apo me molotovë, por me vizion, me punë, me durim të madh dhe me përkushtim hap pas hapi, reformë pas reforme.
E pra, urime të gjithëve dhe, mbi të gjitha, faleminderit! Faleminderit çdo shqiptari dhe shqiptareje që beson, që mbështet dhe që ecën me ne në këtë mision historik. Forca! Forca! Shqipëria, asgjë nuk e ndal dot Shqipërinë europiane!”, theksoi ai.
