Ushtria ukrainase po zgjeron fushatën për goditjen e autokolonave që furnizojnë trupat ruse në territoret e pushtuara, duke përdorur dronë të pajisur me inteligjencë artificiale (IA), njoftuan ekspertët ushtarakë, sipas BBC.
Sipas analizave të publikuara nga BBC Verify, gjatë javës së fundit janë konfirmuar të paktën 14 sulme ndaj mjeteve që transportonin ushqime, karburant dhe municione, në rrugët kryesore që lidhin Rusinë me Krimenë dhe territoret e pushtuara në jug të Ukrainës.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, deklaroi se strategjia e quajtur “bllokada logjistike” synon të rrisë presionin mbi ushtrinë ruse në prapavijë dhe t’i kufizojë aftësinë për të zhvilluar operacione sulmuese të qëndrueshme.
Ekspertët theksojnë se teknologjitë e reja të dronëve, veçanërisht sistemi “Hornet” i mbështetur nga IA-ja, i mundësojnë Ukrainës të godasë objektiva në distanca më të mëdha dhe me saktësi më të lartë.
Dronët janë trajnuar me mijëra orë pamjesh të objektivave ushtarake ruse dhe mund të operojnë në distanca të gjata përmes rrjetit satelitor “Starlink”.
Sipas analistëve, sulmet kanë detyruar Rusinë të reduktojë madhësinë e autokolonave të furnizimit dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në dërgimin e karburantit, municioneve dhe furnizimeve të tjera jetike për njësitë, në vijën e frontit.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW) vlerëson se për herë të parë që nga viti 2023, Ukraina po arrin të rikuperojë më shumë territor sesa po humbet, ndërsa epërsia e saj në përdorimin e dronëve po i vështirëson gjithnjë e më shumë operacionet ruse.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky avantazh mund të jetë i përkohshëm, pasi Rusia pritet të zhvillojë kundërmasa për të neutralizuar teknologjitë e reja ukrainase në fushën e betejës.
