“Bombë” gjermane në Kuvendin e PD: Hiqni Berishën! Deputeti i CDU: Zgjidhni kryetar të ri

#NËRADAR


Autogol gjerman në Kuvendin Kombëtar të PD. Deputeti i partisë qeverisëse së djathtë në Gjermani, CDU, Peter Beyer i ftuar për një video mesazh përshëndetës, rezultoi jo një përshëndetje, por një shuplakë për Berishën.

Beyer u kërkoi demokratëve dhe PD, të zgjedhin një kryetar të ri, vetëm 1 javë nga rikonfirmimi i Berishës, ndërsa për vetë doktorin, një injorim.

“Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur.”

Enigmë mbetet se kë ka në mendje për kryetar të ri Peter Beyer, por jo pritshmëritë që kanë gjermanët për të ardhmen e PD, të cilat sot nuk përputhen me Berishën.

“Ju jeni aktualisht partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri dhe pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja e Gjermanisë dhe sigurisht nga Europa dhe pjesa tjetër e botës janë shumë të larta.

Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme, por të gjithë duhet të përqendroheni, ashtu si ne në CDU në Gjermani, te një qëllim i vetëm; integrimi në Bashkimin Europian.”

Por kush është Peter Beyer? I njëjti që 4 vite më parë, kur vizitonte Tiranën, e konsideronte Sali Berishën një non-grata, me të cilin partia gjermane CDU nuk ka bashkëpunim.

“Axhendat personale të individëve nuk duhet të luajnë një rol jashtë përgjegjësisë për vendin. Është e qartë se çdo lloj bashkëpunimi me një “persona non grata” si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar është i ndaluar që në fillim. Ky është një pozicion i zakonshëm, i padiskutueshëm që ne e përfaqësojmë rreptësisht në unison me miqtë tanë në SHBA”.

Pas 4 vitesh, Beyer u rikthye në Partinë Demokratike, për të takuar Berishën. Në shkallët e selisë e priste Jorida Tabaku, që sipas deputetit gjerman kishte sjellë sërish diellin në PD.

Por dielli mbetet gjithmonë dashuria e përkohshme e një gjermani. Por derisa dielli të lindë në oborrin e PD, do duhet shumë kohë. Berisha vendosi në këtë kuvend, që ripërtëritja të ketë një emër.

“Kemi ardhur këtu sot me një mesazh shumë të qartë, për rininë, jam këtu. Kam marrë iniciativën vetë. Jemi më të fuqishëm se kurrë”, tha ai.



Skip to toolbar