Policia ka goditur një skemë kriminale të dyshuar për trafikimin dhe tregtimin e sendeve me vlerë të vjedhura jashtë vendit, kryesisht në Itali dhe Greqi, të cilat më pas dyshohet se futeshin kontrabandë në Shqipëri dhe shiteshin në argjendari në Fier dhe Lushnjë.
Operacioni i koduar “Stolen Gold” u finalizua nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me komisariatet Fier dhe Lushnjë, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit.
Si rezultat i hetimeve disamujore u arrestua shtetasi D. S., 27 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, Fier, si dhe u shpall në kërkim një 45-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në të njëjtën veprimtari kriminale. Sipas policisë, të dy dyshohen se siguronin bizhuteri ari e argjendi, ora luksoze dhe sende të tjera me vlerë nga vjedhje të kryera jashtë vendit, të cilat më pas tregtoheshin në subjekte argjendarie në vend.
Në vijim të hetimeve, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtatë administratorë argjendarish në Fier dhe Lushnjë, të dyshuar se blinin dhe tregtonin sende pa dokumentacion ligjor dhe me origjinë të dyshuar kriminale.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa dhe subjekte tregtare u sekuestruan 15 kilogramë e 259 gramë ar, 4 kilogramë e 281 gramë argjend, 612 ora të markave të ndryshme, 13 varëse me gurë diamanti, sende me vlerë artistike e kulturore, si dhe shuma parash në lekë e euro. Vlera paraprake e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 2 milionë euro.
Po ashtu, policia sekuestroi edhe pajisje elektronike, DVR dhe sende të tjera që dyshohet se shërbenin për aktivitetin kriminal.
Nga hetimet rezulton se i riu i arrestuar dhe bashkëpunëtorët e tij siguronin sende me vlerë jashtë territorit të Shqipërisë dhe më pas i shpërndanin në tregun vendas përmes rrjetit të argjendarive.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.
