Spaho thirrje Ramës: Mos u dorëzo! Ish nën kryetari i PD: Protesta me prapavijë politike

#NËRADAR


Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të mos dorëzohet para protestave në bulevard, por të vijojë misionin historik për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE në vitin 2030.

“Dëmi më i madh që do t’i bëje këtij vendi nuk është e shkuara jote, por nëse do të ikje nga presioni i kësaj proteste neomarksiste, islamisto-fundamentaliste, antitrampiste, përçarëse midis shqiptarëve në rajon dhe kundër integrimit të Shqipërisë në BE.”

Duke shprehur qartë qëndrimin e tij se protesta ka prapavijë të theksuar politike, kundër Presidentit të SHBA-së, Spaho thotë se dëmi i vetëm që mund të shkaktonte Rama do të ishte dorëzimi ndaj kërkesave të protestës, për t’ia lënë stafetën atyre që duan ta kthejnë Shqipërinë pas.

“Kujto që dëmi që do t’i bësh vendit, duke e lënë atë në duart e atyre që duan ta zgjedhin qeverinë me short dhe hienave politike që presin të kapin çfarë të kapin, do të jetë i tillë që ti nuk do t’i shpëtosh përgjegjësisë, edhe kur ndoshta të mos jesh në këtë botë.”

Madje, ish-nënkryetari i PD-së kërkon që Rama të mos i japë më vëmendje protestës, duke mos treguar aq tolerancë sa po e trajton kryeministri.

“Edi Rama, kjo nuk është protestë për të lëpirë dhe pickuar vajza e djem të sinqertë në bulevard. Meqenëse po flet për sinqeritet në bulevard, kujto ëndrrat-makth të personazhit të Kadaresë te ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’. Nëse çedon, mos u habit që mund të vijë një ditë që eshtrat e tua t’i tërheqin zvarrë në bulevard, si në ëndrrat e atij ‘reaksionarit’.”shkruan ai



Skip to toolbar