Ish-nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, ka bërë thirrje që forcat politike të bashkohen për mbështetjen e investimeve strategjike dhe përmbushjen e standardeve integruese.
Ai theksoi se Shqipëria ka një shans historik për të përmbyllur të gjithë kapitujt me Bashkimin Europian deri në fund të vitit të ardhshëm. Sipas Spahos, kërkesat aktuale nga ana e protestuesve për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme janë të dëmshme, pasi djegin kohën e çmuar në prag të anëtarësimit.
Në mesazhin e tij prerës, ai paralajmëroi se vendi ndodhet në momentin vendimtar ku “o do të hyjë tani në BE, o nuk do të hyjë më”.
“Nisja e menjëhershme, si me sustë, për një investim aq të madh, dukej se në prapaskenë kishte aktorë të interesuar, për dy arsye të mëdha: një, për të anuluar investimin; së dyti, është zgjedhur një moment ku Shqipëria është në periudhën më të avantazhuar për të mbyllur negociatat për integrimin në BE.
Në Europë është origjina e protestës në Tiranë, duke shfrytëzuar ambientalistët, nga Kosova. Duke shfrytëzuar këto komente filluan një protestë që të prishë një investim me argumentet nga më qesharakët, ndërkohë që ende nuk ka një projekt, por një koncept investimi. Transparenca do të bëhet më vonë.
Këtë investim duhet ta mbështesim të gjithë dhe duhet të krijojmë kushtet që të realizohet. Integrimi europian, ne kemi shanset që deri në fund të vitit tjetër kemi mundësi të përmbyllim të gjithë kapitujt. Të kërkosh tani një qeveri teknike që do të merret me qiqrat në hell, që nuk janë punë e protestës, dhe më pas të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, i bie që muajt afër integrimit në BE t’i çosh kot. Në këtë kuptim, e udhës është që të gjitha forcat politike të bashkohen për përmbushjen e standardeve. Shqipëria o do hyjë tani, o s’do të hyjë më”, tha Spaho.
