Marine Le Pen ka konfirmuar se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Francë, pavarësisht dy dënimeve për keqpërdorim të fondeve publike në Shkallën e Parë dhe në Apel.
Në një intervistë për kanalin televiziv TF1, Le Pen deklaroi: “Jam kandidate për zgjedhjet presidenciale”, duke u shprehur e bindur se ankesa që do të paraqesë në Gjykatën e Kasacionit të Francës do të pezullojë automatikisht ekzekutimin e dënimit dhe do t’i mundësojë të garojë për presidencën e Francës.
Vendimi u mor pas një takimi me drejtuesit e partisë dhe ekipin ligjor. Sipas avokatëve të saj, ankimimi në Kasacion do ta lejojë të shmangë përkohësisht ekzekutimin e masave ndëshkuese, duke i hapur rrugën një kandidimi të katërt për postin e presidentes.
Në muajt e fundit, Le Pen është përballur me një periudhë të vështirë politike dhe personale, e shoqëruar nga proceset gjyqësore dhe shitja pothuajse e përfunduar e rezidencës historike familjare në Montretout, simbol i dekadave të aktivitetit politik të familjes Le Pen.
Sipas sondazheve të fundit, Le Pen mbetet favoritja kryesore e krahut të djathtë, me mbështetje që kalon 30%, çka e ka shtyrë të mos tërhiqet nga gara.
Gjatë viteve të fundit, ajo është distancuar nga babai i saj, Jean-Marie Le Pen, ka reformuar partinë duke e shndërruar Front National në Rassemblement National dhe ka zgjeruar ndjeshëm përfaqësimin e saj parlamentar.
Ndërkohë, Jordan Bardella, i konsideruar pasardhësi politik i Le Pen, do të vazhdojë të përgatitet për një rol të mundshëm si kryeministër, ndërsa drejtimin e fushatës së komunikimit do ta marrë mbesa e saj, Nolwenn Olivier.
Vendimi i Marine Le Pen për të vijuar garën shënon një kapitull të ri në përpjekjen e saj shumëvjeçare për të fituar presidencën franceze, pavarësisht sfidave ligjore që vazhdojnë të rëndojnë mbi të.
