Dokumenti për negociatat, niveli i Shqipërisë përballë vendeve të rajonit

#NËRADAR


Komisioni Europian rekomandoi sivjet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht polarizimit të situatës politike në vendin tonë, ndërsa Maqedonia e Veriut kërkoi që vendimi për ta të ndahet nga Shqipëria, duke pretenduar se niveli i tyre ishte më i lartë. Por në të vërtetë rezulton se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pothuajse në të njëjtin nivel, ku në disa reforma Shqipëria mund të jetë një hap para Maqedonisë së Veriut, ose e kundërta, ndërsa rezulton se të dyja këto vende janë më lart se Serbia dhe Mali i Zi në shumë reforma.

Realstory.al ka siguruar dokumentin e qeverisë lidhur me kriteret e vendosura nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave dhe ka krahasuar 8 kriteret kryesore të vlerësuara për hapjen e negociatave për secilin nga vendet e rajonit, sipas nivelit të arritur për secilin prej tyre.

Nga dokumenti vihet re se vlerësimi i plotësimit të kushteve të anëtarësimit ka nëntë nivele, konkretisht;

1. Faza fillestare (early stage of preparation);

2. Faza fillestare/ Njëfarë niveli përgatitjeje (early stage of preparation/ some level  of preparation)

3. Njëfarë niveli përgatitjeje (some level of preparation);

4. Njëfarë niveli përgatitjeje/ Mesatarisht i përgatitur (some level of preparation/ moderately prepared)

5. Mesatarisht i përgatitur (moderately prepared);

6. Mesatarisht i  përgatitur/ Nivel i  mirë përgatitjeje (moderately prepared/ good  level  of preparation)

7. Nivel i mirë përgatitjeje (good level of preparation);

8. Nivel i mirë përgatitjeje/ Nivel i përparuar (good level of preparation/ ëell advanced)

9. Nivel i perparuar (well advanced).

Ndërsa termat e përdorur në raport për vlerësimin e progresit në periudhën e raportimit janë pesë të tilla:

1. Kthim prapa (backsliding)

2. Pa progres (no progress)

3. Njëfarë progresi (some progress)

4. Progres i mirë (good progress)

5. Progres shumë i mirë (very good progress)

Ajo që vihet re në të 8 kriteret kryesore e vendosura për anëtarësimin, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë më lart se Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa Bonje Hercegovina nuk është marrë në analizë krahasimore për shkak të mungesës së të dhënave të fundit.

Por sa i përket këtyre dy shteteve vihet re se ato kanë diferencë shumë të vogël ose pothuajse inekzistente, pasi në disa reforma Shqipëria ka ecur më para, në disa të tjera Maqedonia e Veriut.

Sa i përket kriterit për reformën në administratën publike rezulton se të katër shtetet kanë plotësuar kushtet në nivelin “mesatarisht të përgatitur”, ndërsa për periudhën e raportimit, Maqedonia e Veriut ka bërë “progres të mirë”, ndërsa tre shtetet e tjera “njëfarë progresi”.

Ndërsa për reformën në drejtësi rezulton se tre shtete vlerësohen me “njëfarë niveli përgatitjeje”, ndërsa Mali i Zi duket më lart se tre vendet e tjera, pasi vlerësohet me “mesatarisht i përgatitur” dhe për periudhën e raportimit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë “progres të mirë”, por ka mbetur pas Serbia.

Po ashtu për luftën kundër korrupsionit, një tjetër kriter, të katër vendet janë vlerësuar “njëfarë niveli përgatitjeje”, por vihet re se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë “progres të mirë”, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi kanë ecur me hapa më të ngadaltë.

Sa i përket kriterit për luftën kundër krimit të organizuar, Shqipëria paraqitet më mirë se të tria shtetet e tjera në vlerësimin për periudhën e raportimit, duke barazuar kështu nivelin e Maqedonisë së Veriut, e cila për reformën në administratën publike ishte një hap më para. Të katër shtetet janë vlerësuar me njëfarë niveli përgatitjeje”, por për periudhën e raportimit Shqipëria ka bërë “progres të mirë”, ndërsa tri shtetet e tjera “njëfarë progresi”.

Ndërsa për kriterin e të drejtave themelore rezulton se të katër shtetet kanë bërë progres dhe janë vlerësuare pozitivisht edhe gjatë periudhës së raportimit, ku Shqipëria vlerësohet veçanërisht për progresin në drejtim të komunitetit rom dhe egjiptian.

Për “lirinë e fjalës”, të katër vendet janë vlerësuar me “njëfarë niveli përgatitjeje”, ku Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë bërë progres, ndërsa Shqipëria është vlerësuar me “njëfarë përparimi” dhe Maqedonia duket se është një hap më lart pasi vlerësohet me “progres i mirë”.

Megjithatë, sa i përket kriterit të Politikave të Jashtme dhe Sigurisë, Shqipëria rezulton se ka bërë sërish progres më të lartë se Maqedonia e Veriut dhe dy shtetet e tjera të rajonit, pasi rezulton se është linjëzuar në masën 100% me të gjitha vendimet relevante të Këshillit Europian dhe deklaratat e përfaqësuesve të lartë në emër të BE, ndërsa Maqedonia e Veriut rezulton me progres, por në masën 86%.

Kriteri i fundit i marrë në krahasim është kriteri ekonomik, ku rezulton se Maqedonia e Veriut është më lart me “nivel të mirë përgatitje”, ndërsa tre vendet e tjera janë “mesatarisht të përgatitur”, ndërsa për periudhën e raportimit, secili prej vendeve është vlerësuar me “njëfarë përparimi”. Shqipëria rezulton se në të gjitha reformat kryesore gjatë periudhës së raportimit ka bërë progres dhe nuk ka ngecur në asnjë prej tyre. / realstory.al





Skip to toolbar