Teherani: S’ka negociata/ Irani paralajmëron për kundërpërgjigje ndaj çdo sulmi amerikan

BOTA


Përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të thellohen, ndërsa Teherani deklaron se do t’i përgjigjet me vendosmëri çdo sulmi amerikan dhe nuk ka në plane për negociata.

Autoritetet iraniane bëjnë të ditur se fokusi mbetet mbrojtja e vendit, duke theksuar se nuk do të zbatojnë asnjë marrëveshje nëse Uashingtoni nuk respekton detyrimet e tij. Sipas Teheranit, armëpushimi i arritur më herët është shkelur që në fazat e para të zbatimit.

Ndërkohë, mediat iraniane raportuan për një sulm amerikan ndaj ishullit Hengam, pranë Ngushticës së Hormuzit, një zonë me rëndësi strategjike për transportin ndërkombëtar të naftës.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane që, sipas tyre, përdoreshin për të kërcënuar anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Situata u tensionua edhe më tej pasi Irani deklaroi se ka goditur objektiva ushtarake amerikane në rajon, përfshirë Bahreinin dhe Kuvajtin, ndërsa paralajmëroi se nuk sheh arsye për të respektuar marrëveshjen e armëpushimit nëse nuk përfiton prej saj.

Në të njëjtën kohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të ndërmarrë sulme të tjera nëse Irani nuk rikthehet në bisedime dhe nuk pranon një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit. Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa për momentin nuk ka sinjale për rifillimin e negociatave.



Skip to toolbar