Analisti Roland Lami deklaroi se pjesëmarrja e një eurodeputeteje në protestë në Shqipëri duhet analizuar për shkak të precedentit që, sipas tij, mund të krijojë në proceset demokratike.
Sipas tij, në rastin e një organizimi politik të qartë, pjesëmarrja e partive simotra, eurodeputetëve apo deputetëve të huaj do të ishte një praktikë e njohur politike. Por, sipas tij, situata ndryshon kur një kauzë sociale përdoret për të shprehur qëndrime politike.
Lami ngriti gjithashtu shqetësimin nëse një situatë e tillë mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.
“Prania e eurodeputetes ka një specifikë që duhet analizuar sepse krijon precedent. Kemi parë se kur organizohen aktivitete të rëndësishme politike, që janë pas organizatorë të identifikueshëm politik, qoftë të natyrës protestë, apo kongres, jo në pak raste kemi parë që solidarizohen parti simotra që mbështesin qëndrimin. A jemi ne në kushtet ku kemi një organizim të identifikueshëm politik apo jemi në kushtet e një lëvizje sociale.
Unë mendoj se deri tani duke mos njohur kush janë organizatorët dhe kush qëndron pas organizimit të kësaj gjëje, jemi në kushtet e një lëvizje sociale, jo të një lëvizje politike që e kemi të identifikuar subjektin politik dhe mund të vijnë parti simotra, eurodeputetë, deputetë, dhe të prononcohen. Pra, nuk jemi në kushtet e një organizimi politik. Së dyti, a krijon kjo precedent të rrezikshëm, që nën ombrellën e mbështetjes së një kauze të natyrës sociale të identifikohet individi i përkatësisë politike nga vjen dhe të marrë një qëndrim politik? Unë mendoj se kjo është e rrezikshme dhe nuk është e shëndetshme për vazhdimësinë e proceseve demokratike te ne.”
