Sot, seancë maratonë në Kuvend. Shtatë institucione ‘japin llogari’ para deputetëve

AKTUALITET


Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, në orën 10:00, në seancë plenare me një rend dite të ngarkuar.

Në fokus të seancës do të jenë raportimet dhe miratimi i projektrezolutave për veprimtarinë e 7 institucioneve të pavarura për vitin 2025.

Deputetët do të shqyrtojnë raportet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në rend dite janë parashikuar edhe një interpelancë dhe dy seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.

Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu dy aktet normative të qeverisë, për ndryshimet në buxhetin e vitit 2026 dhe për financimin e pjesshëm të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare.

Deputetët pritet të votojnë edhe një sërë projektligjesh që lidhen me Kodin Civil, ligjin për turizmin, Policinë e Shtetit, Avokaturën e Shtetit, Kodin Detar, pronësinë industriale, kontabilitetin, si dhe legjislacionin për shoqëritë dhe grupimet ekonomike evropiane.



Skip to toolbar