Ndahet nga jeta në moshën 66 vjeçare legjenda e Milanit, Franco Baresi

Më të fundit


Bota e futbollit është në zi. Ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare legjenda e Milanit dhe e kombëtares italiane, Franco Baresi, një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit.

Baresi, i cili festoi 66-vjetorin më 8 maj, prej kohësh ishte duke luftuar me një sëmundje të rëndë. Në vitin 2025 ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për një nodul në mushkëri, ndërsa vitet e fundit zhvilloi një betejë të vazhdueshme me sëmundjen, të cilën e përballoi me dinjitet dhe kurajë.

Pavarësisht gjendjes shëndetësore, ai u shfaq edhe në stadiumin “San Siro” dhe ishte ndër mbajtësit e fundit të flakës olimpike në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, shkruan A2.

Me fanellën e Milanit, Baresi zhvilloi plot 719 ndeshje, duke fituar 6 tituj kampionë të Italisë dhe tre Kupa të Kampionëve/Champions League. Me kombëtaren italiane regjistroi 81 paraqitje dhe u shpall kampion bote në vitin 1982.

Shuarja e tij ka prekur jo vetëm Milanin, por të gjithë botën e futbollit. Klubi kuqezi i ka dhënë lamtumirën kapitenit të përjetshëm, ndërsa tifozë, ish-bashkëlojtarë dhe rivalë e kujtojnë si një simbol të besnikërisë, profesionalizmit dhe fair play-t.

Franco Baresi largohet si një ikonë e futbollit italian dhe botëror, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme që do të mbetet e paharruar për brezat e ardhshëm.



Skip to toolbar