Meloni: Spanja, jashtë Schengen/ Krizë e paprecedentë në Ceuta, Franca blindon kufirin

BOTA


Kalimi i dhjetëra mijëra emigrantëve marokenë drejt Spanjës përmes enklavës së Ceutës ka shkaktuar shqetësim në vendet e Bashkimit Europian për përballjen e unionit 27-anëtarësh me një valë të paprecedentë të emigracionit të paligjshëm.

Paralajmërimi më i ashpër mbi atë që po përshkruhet si fenomeni i shembjes së kufirit spanjoll erdhi nga Italia. Përmes një statusi në rrjetin social X, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni paralajmëroi se Roma zyrtare mund të pezullojë zbatimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë Schengen me Spanjën, duke argumentuar se masa është e nevojshme “për të mbrojtur kufijtë dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, megjithëse Italia nuk ndan kufi tokësor me Spanjën. Të njëjtin qëndrim me Melonin mbajti edhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, i cili shkroi në X se është pro mbylljes së zonës Schengen me Spanjën, pasi emigracioni i parregullt dhe i pakontrolluar përbën një rrezik për sigurinë kombëtare.

Reagimit të Tajanit iu përgjigj ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares, i cili u shpreh se mesazhi i Tajanit ishte i papërshtatshëm dhe se Spanja priste solidaritet dhe jo demagogji partiake nga partneri i saj.

Qëndrimi i Melonit ka marrë mbështetje edhe nga ministrja e Brendshme e Finlandës, e cila vlerësoi propozimin e Romës zyrtare, duke thënë se BE duhet të ndjekë shembullin e Italisë. Kalimet e paligjshme të emigrantëve nga Maroku kanë alarmuar edhe Francën.

Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunes paralajmëroi se Parisi zyrtar do të forcojë kontrollet në kufirin franko-spanjoll në përgjigje të kësaj krize. Ministri i Brendshëm francez shkroi se ka urdhëruar aktivizimin e Forcës Kufitare të Ndërhyrjes së Shpejtë për kontrolle të shtuara në kufi.

Kriza e fundit e emigracionit të paligjshëm në enklavën e Ceutës ishte në maj të vitit 2021, ku mbi 8 mijë marokenë kaluan në territorin spanjoll në mënyrë të paligjshme, duke bërë që Madridi zyrtar të mobilizonte ushtrinë dhe të niste kthimin e menjëhershëm të emigrantëve të paligjshëm.



Skip to toolbar