Të paktën nëntë të vrarë nga sulmet ruse me raketa balistike në Ukrainë

BOTA


Të paktën nëntë persona humbën jetën nga sulmet me raketa balistike ruse në Ukrainë, njoftuan autoritetet lokale në orët e para të së shtunës.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, të paktën 23 persona të tjerë mbetën të plagosur nga sulmi që goditi kryeqytetin, Kievin.

Rusia ka intensifikuar javët e fundit sulmet vdekjeprurëse me raketa balistike ndaj kryeqytetit ukrainas, duke bërë që presidenti Volodymyr Zelensky të theksojë se vendi ka nevojë urgjente për raketa interceptuese të mbrojtjes ajrore.

Sulmet ndodhën vetëm dy ditë pasi një raketë lundruese, që dyshohet se ishte ruse, ra në territorin e Polonisë gjatë një sulmi masiv ndaj Ukrainës, ku mbetën të vrarë të paktën tetë persona, përfshirë gjashtë anëtarë të së njëjtës familje në një fshat pranë qytetit Kryvyi Rih.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se kryeqyteti u godit nga një sulm me raketa balistike, ndërsa agjencia AFP raportoi se në qytet u dëgjuan më shumë se 10 shpërthime.

Në disa zona shpërthyen zjarre, ndërsa u raportuan edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Klitschko bëri të ditur se një ndërtesë banimi në lagjen Shevchenkivskyi u dëmtua pjesërisht, duke lënë njerëz të bllokuar nën rrënoja.

Shërbimi i Emergjencave njoftoi se të paktën shtatë persona humbën jetën nga një goditje në distriktin Darnytskyi. Po aty u plagosën edhe 14 persona, mes tyre dy fëmijë.

Ndërsa në distriktin Solomyanskyi, dy persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën, përfshirë dy fëmijë, pasi një pallat pesëkatësh u dëmtua rëndë nga shpërthimi.

Sulmi ndodhi vetëm pak ditë pasi presidenti Zelensky zhvilloi një takim në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, ku kërkoi që Shtetet e Bashkuara t’i japin Ukrainës licencën për të prodhuar raketat interceptuese Patriot.

I pyetur për këtë çështje gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Camp David të premten, Trump tha se SHBA-ja ende nuk ka rënë dakord që Ukraina të prodhojë raketat Patriot, por se bisedimet vazhdojnë.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm përpara se t’i lejojmë dikujt t’i prodhojë ato,” deklaroi Trump, duke shtuar se transferimi i teknologjisë së avancuar ushtarake amerikane përbën “një hap të madh”.

Këto komente vijnë vetëm pak javë pasi Trump kishte shprehur gatishmërinë për t’i dhënë Ukrainës të drejtën e prodhimit të raketave Patriot.

Ndërkohë, për shkak të shtimit të sulmeve ajrore ruse, Ukraina po përballet me mungesë të raketave Patriot, të cilat mbeten sistemi i vetëm në arsenalin e saj që mund të rrëzojë raketat balistike.

“Nuk besoj se do të ndodhte ndonjëherë, por njerëzit të cilëve u jep këtë teknologji mund të kthehen një ditë kundër teje,” tha Trump.

Nga ana e tij, Zelensky shkroi të premten në rrjetin social X se pas takimit me Trump kishte zhvilluar një bisedë “shumë të mirë” edhe me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.

“Ndërsa sulmet ajrore ruse ndaj vendit tonë vazhdojnë pa ndërprerje, mbrojtja ajrore – veçanërisht raketat interceptuese Patriot kundër raketave balistike, mbetet prioriteti ynë kryesor,” shkroi presidenti ukrainas.

Në të njëjtën kohë, edhe Ukraina ka shtuar sulmet hakmarrëse gjatë muajve të fundit, duke goditur, mes të tjerash, disa depo logjistike që i përkasin Wildberries, kompanisë më të madhe të tregtisë online në Rusi.

Kievi thotë se objektivat e këtyre sulmeve janë qendrat logjistike që përdoren nga rusët për furnizimin me pajisje ushtarake, me synimin për të ndërprerë zinxhirin e furnizimit të ushtrisë ruse.



Skip to toolbar