Pasuri me vlerë miliona euro në pronësi të Ermal Beqirit janë zbuluar në Francë gjatë hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim mes autoriteteve franceze dhe SPAK. Mes tyre spikat një kështjellë në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro, dy apartamente, mbi 2 milionë euro ne llogari bankare dhe automjete.
Për këto asete, Prokuroria e Posaçme u ka kërkuar autoriteteve franceze vendosjen e sekuestros, ndërsa hetimet financiare vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.
Ermal Beqiri u arrestua më 24 korrik 2026 nga autoritetet franceze, pasi hyri me avionin e tij në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penlyt dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert.
Më pas, gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë.
Sipas SPAK, ndaj Beqirit është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme për disa vepra të rënda, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tendera, pastrim parash, korrupsion aktiv dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Ermal Beqiri ishte lokalizuar prej javësh, ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol pasi Gjykata e Posaçme ne Tirane në dhjetor të 2025 vendosi për të masën e sigurisë “arrest në burg”.
