“El Nino” godet motin dhe… xhepat/ Fenomeni klimatik, dëme në ekonominë globale

BOTA


Fenomeni El Niño pritet të sjellë pasoja të mëdha në mbarë botën, duke ndikuar jo vetëm në kushtet e motit, por edhe në ekonominë globale.

Ky fenomen klimatik, që përsëritet zakonisht çdo 2 deri në 4 vjet, lidhet me rritjen e temperaturave të ujërave në Oqeanin Paqësor dhe shoqërohet me ndryshime ekstreme të klimës, si thatësira të zgjatura, reshje të dendura, përmbytje dhe valë të forta të nxehti.

Ekspertët paralajmërojnë se një El Niño i fuqishëm mund të rrisë kostot e jetesës në shumë vende, pasi pasojat e tij prekin drejtpërdrejt prodhimin bujqësor, tregtinë dhe furnizimin me ushqime.
Ngjarjet e mëparshme kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Fenomenet e viteve 1982-1983 dhe 1997-1998 sollën humbje të konsiderueshme për ekonominë botërore dhe ndikimet e tyre u ndjenë edhe vite pas përfundimit të tyre.

Ndikimi më i madh pritet në sektorin e bujqësisë. Në Indi, temperaturat ekstreme kanë rritur rrezikun për thatësira, ndërsa Vietnami përballet me mundësinë e reshjeve intensive dhe përmbytjeve që mund të dëmtojnë prodhimin bujqësor.

Këto ndryshime mund të shkaktojnë ulje të furnizimeve me produkte ushqimore dhe rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. El Niño ndikon edhe në transportin global. Nivelet e ulëta të ujit në Kanalin e Panamasë kanë kufizuar lëvizjen e anijeve tregtare, duke sjellë vonesa dhe kosto shtesë për tregtinë ndërkombëtare.

Ekspertët theksojnë se pasojat ekonomike të fenomeneve ekstreme klimatike shpesh shfaqen me vonesë dhe disa vende mund të përballen me vite të tëra vështirësi ekonomike pas goditjeve të tilla.



Skip to toolbar