Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike, ku me dhjetëra vatra raportohen gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, në total janë evidentuar 45 vatra zjarri, ndërsa 12 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Operacionet për shuarjen e flakëve po zhvillohen në disa territore, përfshirë Dajtin, Krujën, Patosin, Mallakastrën, Përmetin, Devollin, Mirditën dhe Vaun e Dejës. Në terren janë angazhuar qindra forca operacionale, automjete zjarrfikëse, efektivë të Forcave të Armatosura dhe mjete ajrore. Aktualisht, operacionet mbështeten edhe nga tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Prioritet i strukturave të emergjencave mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara. Deri tani raportohet për rreth 418 hektarë sipërfaqe të djegur dhe 250 rrënjë ullinj të dëmtuara.
Ndërkohë, strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.
“Situata e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë aktive dhe 1 është në monitorim.
Në operacione janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë përfshirë 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë operimet 167 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Operacionet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau të Dejës, me ndërhyrje të koordinuara nga toka dhe ajri.
Në të gjitha zonat, prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara, si dhe izolimi e shuarja sa më e shpejtë e vatrave aktive.
Nga raportimet e deritanishme rezultojnë rreth 418 hektarë sipërfaqe të djegur dhe 250 rrënjë ullinj të dëmtuara.
AKMC dhe të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren“, njofton MIA.
