Putin viziton për herë të parë Ishujt Kuril, Japonia proteston fuqishëm: Janë territor japonez

BOTA


Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në arkipelagun e Ishujve Kuril, për të cilin Rusia dhe Japonia kanë një mosmarrëveshje prej dekadash.


Japonia pretendon sovranitet mbi të paktën katër prej ishujve. Sipas agjencive shtetërore ruse të lajmeve, Putin “vizitoi personalisht Ishujt Kuril për herë të parë”, ku inspektoi Varyag, kryqëzorin e klasit Slava dhe anijen kryesore të Flotës Ruse të Paqësorit, raportoi TASS.

Pas vizitës në Juzhno-Sakhalinsk, në ishullin Sakhalin, presidenti rus shkoi në Iturup, një tjetër ishull i arkipelagut, ku vizitoi një fabrikë përpunimi peshku.

Vizita ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Tokio, e cila e kundërshton sovranitetin rus mbi ishujt. Qeveria japoneze “proteston fuqishëm” kundër vizitës së Vladimir Putinit në Ishujt Kuril, njoftoi ministri i Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi.

“Territoret Veriore (…) janë një pjesë integrale e territorit të Japonisë, si historikisht ashtu edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, dhe qeveria japoneze proteston fuqishëm kundër kësaj vizite”, tha Motegi në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.

Ministri përdori emrin japonez “Territoret Veriore” për arkipelagun, i cili shtrihet midis Hokkaidos dhe Gadishullit Kamchatka.

Mosmarrëveshja territoriale mes Rusisë dhe Japonisë për Ishujt Kuril ka zgjatur prej dekadash dhe mbetet një nga çështjet kryesore që ka penguar marrëdhëniet mes dy vendeve.



Skip to toolbar