Tragjedia e futbollistes marokene/ U mbyt duke tentuar të arrinte në Spanjë, po atë ditë iu miratua viza

BOTA


Një histori tragjike ka tronditur Marokun, pas vdekjes së 26-vjeçares Fatin Ben Omar El Azizi, e cila humbi jetën teksa përpiqej të notonte nga brigjet e Marokut drejt enklavës spanjolle të Ceutës.

Ironia e fatit është se në të njëjtën ditë, nëna e saj mori një telefonatë ku u njoftua se vajzës i ishte miratuar viza për në Spanjë.

Fatin ishte mes të paktën 141 personave që humbën jetën gjatë përpjekjes masive për të hyrë në Ceuta muajin e kaluar. Shumica e viktimave, të cilët u mbytën ose u shtypën në kufirin tokësor, besohet se ishin nën 35 vjeç.

Për 26-vjeçaren, futbolli ishte më shumë se një sport. Ai përfaqësonte shpresën për një jetë më të mirë. Fatin kishte luajtur për vite me radhë në ligën rajonale marokene me Moghreb Atlético Tetuán, skuadra uniformat e së cilës ngjanin me ato të Atletico Madrid.

Ajo jetonte në Tetouan, në veri të Marokut, së bashku me nënën dhe pjesën tjetër të familjes. Babai i saj kishte ndërruar jetë kur Fatin ishte vetëm 12 vjeçe.

Trajneri i saj tregoi për Guardian se 26-vjeçarja e dashuronte futbollin dhe stërvitej rregullisht. Çdo të martë ajo stërvitej në stadium, ndërsa të enjten në plazh.

Megjithatë, futbolli nuk mund t’i siguronte një të ardhme. Kur skuadra fitonte, Fatin merrte rreth 260 dirhemë, afërsisht 25 euro, ndërsa në rast humbjeje nuk paguhej fare. Me këto të ardhura, ajo nuk mund të ndihmonte financiarisht nënën, dy vëllezërit dhe pjesën tjetër të familjes.

Për të siguruar të ardhura shtesë, krahas futbollit, Fatin punonte në varrezat më të vjetra të Tetouanit. Ajo pastronte varre dhe shiste tufa borziloku, i cili përdoret në traditat myslimane të varrimit.

“Ajo ëndërronte të arrinte Evropën përmes futbollit”, tregoi nëna e saj, Jamila.

Por ëndrra e saj për një jetë më të mirë përfundoi në tragjedi. Fatin u mbyt më 30 korrik, ndërsa përpiqej të notonte nga bregu i Marokut drejt Ceutës. Sot ajo është varrosur në të njëjtat varreza ku kishte punuar.

Historia e Fatin pasqyron vështirësitë me të cilat përballen shumë të rinj në Marok, ku papunësia dhe pagat e ulëta mbeten një problem i madh.

Vdekjet në Ceuta ndodhën më pak se një vit pas protestave të mëdha të të rinjve në vend, më të mëdhatë që nga Pranvera Arabe e vitit 2011. Protestuesit kanë denoncuar mungesën e fondeve për shëndetësinë dhe arsimin, ndërsa shuma të mëdha parash po investohen në ndërtimin dhe përmirësimin e stadiumeve përpara Kupës së Botës 2030, të cilën Maroku do ta bashkëorganizojë me Spanjën dhe Portugalinë.

Për Marokun, Kupa e Botës është një simbol i ambicies kombëtare, por investimet kanë hapur edhe debat mbi mënyrën se si përdoren paratë publike.

Pothuajse 40% e të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç ishin të papunë në Marok vitin e kaluar. Edhe për ata që arrijnë të gjejnë punë, pagat mbeten të ulëta. Paga minimale bruto në sektorin privat jobujqësor është rreth 316 euro në muaj.

“Ashtu si Fatini, unë dhe shumë nga miqtë e mi nuk mund të gjejmë punë në vendin tonë. Është e vështirë të ndërtosh një të ardhme këtu”, tha 20-vjeçari Simo, i cili u kthye së fundmi në Marok pas përpjekjes masive për të kaluar kufirin drejt Ceutës.

Nëna mori lajmin për vizën në ditën kur vajza u mbyt

Nëna e Fatin e dinte se vajza e saj dëshironte të stërvitej më shumë dhe të zhvillohej si futbolliste, por familja nuk kishte mundësi financiare për ta mbështetur.

Mëngjesin e 30 korrikut, Jamila mori një telefonatë. Personi në anën tjetër të linjës kërkoi të fliste me Fatin.

“Unë jam nëna e saj”, u përgjigj ajo.

Punonjësi i tregoi se viza spanjolle e vajzës së saj ishte miratuar dhe se Fatin duhej të shkonte në konsullatën në Tangier, me dokumentin e identifikimit, për ta marrë atë.

Jamila nuk e dinte se vajza kishte aplikuar për vizë. Ajo nuk mund të shpjegojë as pse, pasi kishte bërë aplikimin, Fatin vendosi të rrezikonte jetën duke tentuar të shkonte në Ceuta.

Nëna beson se vajza mund të ketë aplikuar në mënyrë joformale dhe nuk priste që viza të miratohej. Deri më tani, ajo nuk e di se çfarë lloj vize kishte marrë Fatin dhe as se ku planifikonte të shkonte.

Në javët para vdekjes së saj, Jamila kishte vënë re një ndryshim të madh tek e bija. Fatin ishte bërë më e qetë, e trishtuar dhe më e tërhequr.

Kur 26-vjeçarja u zhduk, familja e kërkoi gjatë gjithë natës. Në një moment, një i ri mbërriti në shtëpinë e tyre dhe pyeti nëse Fatin kishte veshur tuta sportive. Ai u tregoi se ajo kishte goditur kokën ndërsa po përpiqej të kalonte drejt Ceutës.

Jamila nuk pati forcë të hynte në zonën ku mbaheshin trupat e viktimave.

“Nuk doja që ky imazh të më ngulitej në kujtesë”, tha ajo.

Në fund, ishte motra e Jamilës ajo që shkoi për të identifikuar trupin e Fatin.

Por tragjedia për nënën nuk përfundoi aty. Pas vdekjes së vajzës, ajo zbuloi se edhe dy fëmijët e saj të tjerë ishin zhdukur.

Djali i saj i madh arriti të mbërrinte në Ceuta dhe e kontaktoi përmes telefonit. Ndërkohë, Jamila është ende në pritje të lajmeve për vajzën e saj 14-vjeçare, e cila besohet se gjithashtu ka arritur të kalojë në enklavën spanjolle.

“Tani jam vetëm, pa fëmijët e mi”, tha nëna e Fatin për ‘The Guardian’.



Skip to toolbar