Këtë të hënë skadon armëpushimi 60-ditor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa shpresat për një marrëveshje të re mbeten të zbehta. Përfundimi i afatit vjen në një moment kur negociatat mes Uashingtonit e Teheranit kanë ngecur dhe tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm.
Palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje për zgjatjen e armëpushimit. Përpjekjet diplomatike po vijojnë përmes ndërmjetësve, por deri tani pa një rezultat konkret. Teherani dhe Uashingtoni mbeten të ndarë veçanërisht për çështjen e Ngushticës së Hormuzit, bllokadës detare dhe kushteve për rikthimin në një marrëveshje më të qëndrueshme. Në terren, situata mbetet e brishtë. Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është ulur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, ndërsa sulmet ndaj anijeve dhe kërcënimet për masa të reja ekonomike kanë shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm.
Ngushtica e Hormuzit është një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të në botë. Çdo pengesë serioze në lundrimin përmes saj mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin global dhe në çmimet e naftës. Tregjet kanë reaguar tashmë ndaj pasigurisë, ndërsa investitorët po ndjekin me shqetësim çdo zhvillim të ri mes dy vendeve.
Në planin diplomatik, megjithatë, dera për negociata nuk është mbyllur plotësisht. Përpjekjet për të rikthyer dialogun po zgjerohen, me vende të ndryshme që po përpiqen të luajnë rolin e ndërmjetësit dhe të parandalojnë një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme. Por me skadimin e armëpushimit, presioni mbi të dyja palët shtohet. Uashingtoni kërkon që Teherani të bëjë lëshime, ndërsa Irani kërkon heqjen e masave amerikane dhe respektimin e angazhimeve të mëparshme.
Tashmë pritet te shihet se cfare do te ndodhe ne orët në vijim. Çdo vendim i ri nga Uashingtoni apo Teherani mund të përcaktojë nëse rajoni do të hyjë në një fazë të re negociatash, apo në një tjetër përshkallëzim ushtarak.
Skadimi i armëpushimit nuk nënkupton domosdoshmërisht rikthimin automatik të luftës, por e bën situatën edhe më të pasigurt. Dhe në një rajon ku një incident i vetëm mund të ndezë një konflikt më të gjerë, diplomacia mbetet për momentin e vetmja rrugë për të shmangur përshkallëzimin.
