Mbetën të bllokuar në Kanionet e Gradecit në Skrapar, shpëtohen dy turistë çekë

AKTUALITET


Dy turistë me origjinë çeke, 43 dhe 76 vjeç, janë shpëtuar nga strukturat e emergjencës pasi mbetën të bllokuar në Kanionet e Gradecit në Skrapar.

Ngjarja u raportua pasi turistët, të cilët kishin hyrë në kanione, humbën kontaktet me familjarët e tyre. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Alpine Fier, nisën menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.

Gjatë kontrolleve në terrenin e vështirë malor, ekipet përdorën edhe dronë për lokalizimin e turistëve. Pas kërkimeve, ata u gjetën të bllokuar dhe në pamundësi për të vijuar lëvizjen për shkak të terrenit të vështirë.

Në operacion u angazhuan gjithashtu Ekipi Canyoning Skrapar dhe strukturat e tjera të emergjencës. Ekipet arritën t’i nxirrnin të dy turistët në mënyrë të sigurt nga kanionet.

Pas shpëtimit, turistët falënderuan efektivët e Policisë së Shtetit dhe të gjitha strukturat e përfshira në operacion, duke vlerësuar reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e tyre.

Policia e Shtetit vijon të jetë e angazhuar për ndërhyrjen në raste emergjencash dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në zona me terren të vështirë.



Skip to toolbar