Rama mbledh sot ministrat dhe grupin parlamentar, në fokus “Besa” dhe riorganizimi i PS

Më të fundit


Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka thërritur sot në takim ministrat dhe grupin parlamentar. Mbledhja është parashikuar të zhvillohet në Pallatin e Brigadave në orën 10:00.

Ashtu si dhe në takimet e tjera, në fokus të diskutimeve vijon të mbetet dokumenti ‘Besa’ që përmban ‘formulën’ e re qeverisëse për pjesën tjetër të mandatit, por dhe ‘Prania Besnike’, që parashikon riorganizimin e socialistëve në terren.

Ndërkohë flitet se kryeministri Rama mund të njoftojë ndryshime në kabinet. Të fundit janë bërë në janar të këtij viti po në mbledhjen e përbashkët mes deputetëve dhe ministrave.

Ndërkohë dje u zyrtarizua dhe dorëheqja e Evis Salës si ministre e Shëndetësisë pas një viti në detyrë. Sala tha se tashmë do të përqendrohej në angazhimet ndërkombëtare në fushën e kërkimit shkencor. Evis Sala është ministrja e Shëndetësisë më jetëshkurtër në PS. Ajo e mori stafetën nga Albana Koçiu ndërsa ende nuk dihet se kush do të jetë pasardhëse e saj.

Socialistët i kanë mbyllur pushimet verore që me 23 gusht me takimin e parë me Ramën në Pogradec duke nisur kështu dhe përgatitjet për sezonin e ri politik. Në fokus të mbledhjeve të vazhdueshme me ministrat, drejtuesit politikë të qarqeve, të deleguarit në Tiranë e deputetë, ka qenë prezenca më e lartë në terren, përmirësimi i raportit qeveri-qytetarë dhe zgjidhja e problematikave të tyre.



Skip to toolbar