Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj prezantoi në Vjenë në një fjalim në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, kuadrin paraprak të prioriteteve të Kryesisë Shqiptare për vitin 2020. Cakaj shpalosi se Kryesia Shqiptare e OSBE-së do të përqendrohej në prioritete përgjatë të tre dimensioneve të përcaktuara nga OSBE.
“Së pari, në dimensionin politiko-ushtarak, prioritet do të jetë parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve, ku vëmendje të veçantë do të kenë kriza në Ukrainë dhe përreth saj, trajtimi i mëtejmë i konfliktit në Nagorno-Karabakh, adresimi i pasojave të konfliktit në Gjeorgji dhe vazhdimi i Procesit të Negocimit për Transdniestrian,” theksoi Cakaj.
Siç njofton zyra e shtypit, Ministri në Detyrë u shpreh se në këtë dimension do të jenë prioritare fuqizimi i rolit të gruas në proceset e paqes; adresimi i rreziqeve transnacionale dhe lufta kundër të gjitha formave të trafikimit, veçanërisht trafikimit të qenieve njerëzore.
“Së dyti, në dimensionin ekonomiko-mjedisor, do të ketë vëmendje të veçantë lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i mirëqeverisjes në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm; ruajtja e mjedisit prej krimeve transnacionale dhe stimulimi i balancës midis pastërtisë mjedisore dhe politikave zhvillimore,” u shpreh Cakaj.
Dimensioni i tretë i prioriteteve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së të vitit të ardhshëm është ai njerëzor. “Së treti, në dimensionin njerëzor dhe të lirive themelore do të jenë prioritare promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit në të gjithë hapësirën e OSBE-së dhe afirmimi i universalitetit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore,” tha Cakaj.
Cakaj theksoi se rinia do të jetë prioritet ndër-dimensional i Kryesisë Shqiptare dhe do të ketë rol qendror në angazhimet e saj. Ai tha se Shqipëria do të ofrojë një kryesi aktive, efektive dhe të fuqishme në OSBE në vitin 2020.