“Paraburgimi duhet të jetë masa e fundit”, Rama: Ndryshime në 20% të Kodit të Procedurës Penale

AKTUALITET


Në prezantimin e draftit ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, kryeministri Edi Rama e vuri theksin te përdorimi i masës së paraburgimit dhe forcimi i garancive për të drejtat e individit gjatë procesit penal. Sipas Ramës, ndonëse paraburgimi duhet të përdoret vetëm si masë e fundit, në Shqipëri ai është kthyer në një element qendror të procesit penal.

Kryeministri tha se Organizata e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Evropës dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut kanë evidentuar problematika në mënyrën se si kërkohet dhe vendoset paraburgimi në Shqipëri.

Sipas tij, në një pjesë të rasteve kërkesat për paraburgim bazohen në formula të gatshme dhe vendimet gjyqësore përsërisin arsyetimin e prokurorisë, pa një analizë konkrete të profilit të personit, rreziqeve që mund t’i kanosen hetimit apo mundësisë së zhvillimit të gjykimit në liri.

“Paraburgimi duhet të jetë masa e fundit, në Shqipëri është qendra e gravitetit të procesit penal. OKB, KE, Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut kanë nënvizuar se paraburgimi në Shqipëri kërkohet rëndomë me formula të gatshme dhe vendoset duke përsëritur arsyetimin e prokurorit, pa një analizë reale të profilit të personit, rreziqeve konkrete që mund ti kanosen hetimit, ose gjykimit në liri dhe mundësi për masa më të buta. Gjykata e Strasburgut, në një sërë çështjesh kundër Shqipërisë ka konstatuar edhe mungesën e pajustifikueshme të një shqyrtimi real për vazhdimin e masave shtrënguese”, tha Rama.

Kryeministri e cilësoi paketën si një përgjigje ndaj një problematike konkrete të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se ndryshimet lidhen edhe me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Sipas Ramës, paketa prek rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale dhe është konceptuar si një arkitekturë e vetme dhe koherente.

“Kjo paketë është një  përgjigje konkrete ndaj një problemi konkret, real që Shqipëria nuk e ka me ata që sot janë në paraburgim, por e ka me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe lidhet drejtpërdrejtë me kapitullin e 23 të negociatave me BE. Paketa prek rreth1/5 e Kodit të Procedurës Penale dhe vjen si një arkitekturë e vetme, koherente.  Çdo ushtrim i pushtetit në procesin penal duhet të ketë një bazë të qartë në ligj, duhet të jetë proporcional me qëllimin, duhet t’i nënshtrohet kontrollit përmbajtësor dhe jo formal të gjykatës dhe duhet të prodhojë pasoja juridike kur kalon kufijtë e vet”, theksoi Rama.



Skip to toolbar