Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë në mënyrë unanime Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Hamza, duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, tha se çështja e Dhomave të Specializuara i tejkalon përmasat e një partie politike dhe mandatet e një apo disa qeverive.
“Është një çështje që ka të bëjë me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Kemi besuar në drejtësi. Vazhdojmë të besojmë në drejtësi. Kërkojmë drejtësi”, tha Hamza.
Ai tha se procesi i themelimit të Dhomave të Specializuara ka qenë i rëndë për Kosovën dhe se vendimet për krijimin e tyre janë marrë mbi bazën e akuzave që, sipas tij, nuk janë vërtetuar.
Hamza tha se Kosova nuk kërkon që të mos ketë drejtësi dhe se çdo krim duhet të hetohet e gjykohet, ndërsa viktimat duhet ta kenë të drejtën për të kërkuar drejtësi.
“Nuk po e mbyllim gjykatën. Për atë çka e kemi votuar, le të hetojë. Po kërkojmë mbikëqyrje. Po kërkojmë llogaridhënie. Po kërkojmë zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas Hamzës, personat që janë përballur me procesin gjyqësor në Hagë duhet të kenë mundësinë që në procedurën e apelit të shqyrtohen provat dhe faktet në mënyrë të plotë.
“E kemi lënë që apeli të zhvillohet atje, me qëllim që t’ia japim mundësinë edhe një herë kësaj gjykate që të sjellë vendim ekskluzivisht vetëm mbi bazën e provave dhe fakteve, jo mbi bazën e thashethemeve”, tha ai.
Hamza kërkoi gjithashtu mekanizma të mbikëqyrjes së punës së Dhomave të Specializuara, duke thënë se Kuvendi, si organ ligjvënës dhe themelues i këtij mekanizmi, duhet të ketë mundësi për të kërkuar llogaridhënie dhe transparencë.
“Nuk ka gjykatë që nuk di ku ka llogaridhënie. Kjo është pa transparencë, pa llogaridhënie. Kujt i përgjigjet? Për më tepër ka konstatime që ka pasur edhe shkelje të drejtave të njeriut dhe çështje të tjera. Unë sot, mbi të gjitha, përtej të gjithave, jam këtu me i lut deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kemi qëndrim unik në votimin e këtij projektligji”, u shpreh Hamza.
Ai tha se Projektligji nuk duhet të shihet si nismë e një partie politike, por si çështje që shkon përtej mandatit të këtij Kuvendi.
“Nuk është ligj i PDK-së, nuk është ligj i një partie politike, nuk është ligj që e prek veç mandatin e këtij Kuvendi. Është ligj i cili shkon përtej mandatit të një Kuvendi. Ne nuk mundemi në mënyrë pa fakte, pa verifikime, pa prova, pa fakte me u ndërtu një trillim që është ndërmarrja e përbashkët kriminale dhe qëllimi i popullit e përmes Ushtrisë Çlirimtare populli nuk ka pasur rrugë kriminale me ardhë deri te pavarësia e Kosovës”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së foli edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se lufta e saj ishte luftë e popullit të Kosovës për liri dhe shtet.
Hamza theksoi se pjesëtarë të UÇK-së janë të përfshirë në subjekte të ndryshme politike dhe se, sipas tij, vlerat e luftës çlirimtare janë përtej një partie politike.
“Ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka në të gjitha partitë politike: edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe në Aleancë, edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, edhe në Partinë Demokratike të Kosovës. Prandaj janë vlera të cilat janë përtej një subjekti politik”, tha ai.
Në fund të fjalimit, Hamza u bëri thirrje deputetëve që të jenë unikë në votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.


