Ditë e re, s’pati kësmet të ri.
Alarmi i konflikteve të forta të brendshme në së paku 9 vende europiane, ka mbërritur deri në Pallatin e Qelqtë të Kombeve të Bashkuara. Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut dënon dhunën e protestës që ka mbërritur në Tiranë.
“Unë dënoj veprimet e atyre që shfrytëzojnë protestat për të kryer akte dhune dhe vandalizmi kundër pronës publike dhe private. Mënyra më e mirë dhe e vetme përpara është dialogu gjithëpërfshirës dhe i sigurt”, tha Volkan Turk.
Edi Rama thotë gjithashtu se nuk ka rrugë tjetër. Për ditën e dytë radhazi, kryeministri i Shqipërisë doli në sheshin e dialogut, për të vendosur sërish 12 karrige.
Kësaj radhe ndryshonin ngjyra, por dhe cilësia. Pas shkatërrimit të karrigeve historike, që datojnë Luftën e Dytë Botërore, në bulevard zbritën karriget e kauçukut. Por vullneti i Edi Ramës ishte i njëjti.
Karriget ishin vendosur për studentët, por thirrjes për dialog iu përgjigjën të njëjtët. Si një ditë më parë.
Por, ashtu si flamingot, edhe kjo protestë po i del boja. Këtë herë jo vetëm nga shiu. Dialogu mund të bëhet, por nuk lejohet në këtë shesh. Në këtë shesh flet vetëm dhuna.
Dhe, si për ta konfirmuar se tani ai ka marrë në duar frenat, njoftoi se edhe protestë do të ketë, vetëm kur e thërret Sali Berisha.
Thonë që vesi del me shpirtin. Të shtunën, më datë 24, protestat janë thirrur edhe në Bashkimin Europian, nga 101 celulat marksiste dhe anti-semite. Kështu që të shtunën, Berisha mund të ndihet komunist edhe një herë, pa komplekse. Proletarët janë gjithmonë bashkë.


