Rreth 90 biznese në Tiranë janë dëmtuar nga aktet vandale gjatë protestave të ditëve të fundit. Sipas bilancit paraprak të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vlera e dëmeve materiale të raportuara arrin në rreth 200 mijë euro.
Të dhënat janë verifikuar edhe nga ekipet në terren, si dhe nga raportimet e vetë subjekteve të prekura përmes portalit “Dëmi Im”.
Ndërkohë, rreth 10 ekipe të Administratës Tatimore vijojnë punën për evidentimin dhe verifikimin e dëmeve të shkaktuara. Procesi synon të përcaktojë përmasat e dëmeve dhe të krijojë një pasqyrë më të plotë të bizneseve të prekura.
Qeveria njoftoi pak ditë më parë nismën për raportimin e bizneseve të dëmtuara, përmes portalit “Dëmi Im”, në platformën e-Albania. Bizneset duhet të plotësojnë të dhënat e kërkuara, duke përfshirë natyrën e dëmit dhe vlerën e përllogaritur të dëmeve materiale.
Qeveria ka njoftuar se do të dëmshpërblejë bizneset e vogla që kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave të dhunshme në kryeqytet. Ndërkohë, për bizneset që kanë sigurim, dëmet do të mbulohen sipas kushteve të policave përkatëse nga kompanitë e sigurimit.
Procesi i evidentimit të dëmeve vijon, ndërsa bilanci paraprak pritet të plotësohet me të dhënat e reja që do të dalin nga verifikimet në terren dhe raportimet e bizneseve të prekura.


