Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bledar Skënderi i është përgjigjur akuzave të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, i cili të shtunën, deklaroi se me urdhër të kryeministrit Edi Rama, votimi në Bashkinë e Vaut të Dejës është bërë në fletë të falsifikuara, pasi fletët e votimit nuk u zëvendësuan.
Skënderi përgënjeshtron akuzat e numrit dy të PD-së duke konfirmuar se fletët e votimit u zëvendësuan nga materialet zgjedhore të prodhuara në Slloveni, ashtu sikurse qe njoftuar pak ditë pas ngjarjes që ndodhi në KZAZ e stacionuar në shkollën Shejnaze Juka pas sulmit nga ku militantë të PD me në krye figura politike të njohura i vunë flakën materialeve zgjedhore.
Skënderi bën publike edhe dokumentet që e vërtetojnë këtë fakt. Ai deklaron se fletët e votimit janë sjellë në Shqipëri në datë 29 qershor, pra një ditë para zgjedhjeve dhe shpërndarja e tyre ka përfunduar pas nisjes së procesit të votimit.
Madje, anëtari i KQZ ka publikuar edhe një pjesë të komunikimit me personat e autorizuar për sjelljen e fletëve të votimit për të zëvendësuar materialet zgjedhore të dëmtuara.