Flávio Bolsonaro ka deklaruar se do t’i përdorë Shtetet e Bashkuara si bazë për të organizuar opozitën kundër presidentit brazilian Luiz Lula da Silva, pas largimit nga Brazili së bashku me familjen. Në një letër publike, senatori i krahut të djathtë falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për mikpritjen dhe pretendoi se po përballet me persekutim politik, ndërsa përsëriti akuzat për manipulim të zgjedhjeve, pa paraqitur prova.
“Unë nuk u arratisa nga Brazili, u largova për hir të Brazilit”, deklaroi Bolsonaro, duke këmbëngulur se synimi i tij ishte të vazhdonte betejën politike nga jashtë vendit dhe të mbronte familjen.
Flávio Bolsonaro dhe familja e tij morën mejnjeher viza amerikane .
Sipas të dhënave të fluturimeve, ai, bashkëshortja dhe dy vajzat udhëtuan nga Argjentina drejt Ekuadorit dhe më pas vazhduan me avion privat për në Miami, ku mbërritën të mërkurën në mëngjes. Ndërkohë, autoritetet braziliane anuluan dokumentet e udhëtimit, ndërsa avokatët e tij deklaruan fillimisht se nuk e dinin se ku ndodhej.
Flávio Bolsonaro është gjithashtu nën hetim në dy çështje që shqyrtohen nga Gjykata Supreme Federale e Brazilit. Njëra lidhet me dyshime për parregullsi në transferimin e rreth 70 milionë dollarëve drejt kompanisë së filmit Dark Horse, që po realizon një film biografik për të atin. Hetimi tjetër lidhet me dyshime për pastrim parash. Bolsonaro i mohon akuzat, të cilat mbeten objekt hetimi.
Largimi i tij vjen pas një historie të ngjashme në familje. Babai i tij, ish-presidenti Jair Bolsonaro, u largua drejt Floridës në dhjetor të vitit 2022, përpara se Lula të merrte zyrtarisht detyrën. Ai u dënua më vonë me 27 vjet burg në një çështje që lidhej me përpjekjet për grusht shteti. Edhe vëllai i Flávios, Eduardo Bolsonaro, jeton në Shtetet e Bashkuara, ku është përfshirë në përpjekje për të ndikuar te zyrtarët amerikanë lidhur me çështjen gjyqësore të të atit.


