Albatros Rexhaj: Komploti kundër Belës, standardi i dyfishtë gjyqësor dhe medial

Më të fundit


Nga Albatros Rexhaj

Për mua, Belinda Balluku dhe Erion Veliaj janë të pafajshëm derisa t’i dënojë një gjykatë. Problemi im nuk është fajësia apo pafajësia e tyre, por standardi i dyfishtë që u aplikohet.

Para një muaji ju tregova përrallën e shtrigës. Ju mbeta borxh gjysmën tjetër, sepse asnjë përrallë nuk mban vetëm me shtrigë. Duhet edhe një princ.

Princi ynë është i mbyllur në kullë. Kulla sot quhet burgu i Fierit. Që andej, të premten më 6 nëntor, ai miratoi pesëmbëdhjetë çerdhe e kopshte për Tiranën. Lajmin e dha një sozi e tij, e bërë me inteligjencë artificiale. Kasnecët e lexuan listën e kopshteve lagje për lagje. Asnjëri nuk shtoi se princi ka trembëdhjetë akuza.

Në kullë princi nuk mërzitet. Firmos pagat e administratës. Shkarkon nënkryetarë. Sekretar të Përgjithshëm të Bashkisë ka vënë avokatin që e mbrojti në Gjykatën Kushtetuese. Nëna i çon ushqim çdo ditë, dhe këtë na e tregoi emisioni kryesor i televizionit më të madh. Këtë javë i shkroi prokurorit të vet që t’i rregullojë pjesëmarrjen në kuvendin e partisë: të shtunën, me orë, vend, rend dite dhe dokumente. Po të mos e lënë, kërkon t’i lexohet fjalimi në sallë.

Unë shkruaj drama. Po ta kisha shkruar unë këtë skenë, regjisori do të ma kishte kthyer si të tepruar.

Shtriga jeton ndryshe. Belinda Balluku është e lirë dhe nuk firmos dot asgjë. Zyrën ia hoqi një gjykatë nëntëmbëdhjetë ditë pasi u mor e pandehur, pa gjyq dhe pa dënim. Në shkurt kryeministri e shkarkoi nga qeveria. Pas kësaj gjykatat e mbajtën të pezulluar edhe tri herë, nga një detyrë që nuk e kishte më. Avokatët thanë se s’kishte mbetur ç’të pezullohej. Masa u mbajt. Shtrigës ia dogjën fshesën tri herë pasi ia kishin marrë.

Njërit i lanë vulën dhe e mbyllën në kullë. Tjetrës ia morën vulën dhe e lanë në shtëpi.

Kjo nuk u bë vetë. Ligji i procedurës thotë se pezullimi nga detyra nuk zbatohet për të zgjedhurit. Kryetari është i zgjedhur, ministrja jo. Prandaj ministren e pezulluan me një vendim, kurse kryetarin, po të donin ta largonin nga zyra, mund ta çonin vetëm në burg.

Pastaj erdhi Gjykata Kushtetuese, dy herë brenda tre muajsh. Në nëntor 2025 vendosi, pesë me tri, që princi e mban kurorën edhe në kullë. Ligji thoshte se kryetari që mungon tre muaj shkarkohet. Ligji nuk pyeste pse mungon, sepse ishte shkruar për qytetin: një bashki nuk rri pa kryetar. Gjykata gjeti në ligj një fjalë që ligji nuk e ka, fajin. Burgu nuk është faji i tij, pra mungesa nuk numërohet. Në përmbledhjen që ka botuar vetë Gjykata flitet për të drejtat e tij, për mandatin e tij, për autonominë vendore. Për banorët e Tiranës, që kanë të drejtë të kenë një kryetar në zyrë, nuk gjeta asnjë fjali.

Që atë ditë kulla nuk ka derë nga të dalë kryetari, por ka dritare nga del firma. Ai nuk shkarkohet, se s’ka faj. Nuk pezullohet, se është i zgjedhur. Dhe askush nuk e detyron t’ia lërë vulën një zëvendësi. Çdo kryetar bashkie që arrestohet nesër e di tashmë ç’të marrë me vete. Një raport i Këshillit të Evropës citon një burim sipas të cilit tridhjetë e gjashtë kryetarë, në detyrë ose të mëparshëm, janë hetuar vitet e fundit. Kullat nuk do të mbeten bosh.

Në shkurt e njëjta gjykatë u mblodh për shtrigën. Qeveria tha se një gjykatë penale që pezullon një ministre e gjymton ekzekutivin. Gjyqtarët u ndanë katër me katër, dhe pezullimi mbeti. Sipas votimit që u bë publik, dy prej atyre që ia ruajtën kurorën princit ia hoqën asaj zyrën.

Pezullimin e Ballukut prokuroria e ka mbrojtur në çdo shkallë, dhe i kërkoi Kuvendit edhe arrestimin e saj. Kuvendi tha jo me 82 vota. Me princin është e rreptë vetëm aty ku nuk kushton. Tri herë Këshilli Bashkiak e kërkoi kryetarin në mbledhje, qoftë edhe me video, dhe tri herë prokurorët refuzuan. Fytyrën e vërtetë ia ndaluan në këshill. Sozinë artificiale ia sheh gjithë qyteti. Kundër firmës nuk kam gjetur asnjë rresht të tyre.

Në shkurt 2025 SPAK-u u dha burgjeve një autorizim: princin e vizitojnë vetëm familjarët. Aktet e Bashkisë nuk i çon nëna bashkë me gjellën. Kush i çon, me lejen e kujt, dhe a hyn Sekretari i Përgjithshëm në kullë si zyrtar i Bashkisë apo si avokat i të pandehurit?

Nëse zyra në dorën e një të pandehuri është rrezik për hetimin, pse firmos Veliaj? Nëse nuk është rrezik, pse mbahet e pezulluar Balluku, edhe nga një zyrë që s’e ka?

Për shtrigën, Top Channel dërgoi nëpër zyra një gazetare me kamerë të fshehtë, të paraqitur si punëkërkuese, që të provonte se asaj i dëgjohet ende fjala atje ku nuk ka më detyrë. Këtë e quajtën investigim. Për princin kamera e fshehtë nuk duhet: emërimet nga kulla i shpall vetë Bashkia, me njoftim për shtyp, dhe ekranet i lexojnë si buletin moti.

Më 7 tetor Fiks Fare dha një emision ku një zyrtare e ministrisë, Mirzeta Kashnica, e pandehur në të njëjtën dosje, dilte si dëshmitare që të fortët e Ballukut e kishin kërcënuar. Të nesërmen në mëngjes ajo shkoi vetë në SPAK, pa e thirrur njeri, me avokatin e saj. Procesverbalin e kam lexuar. “Unë nuk jam kërcënuar me jetë, as familjarët e mi”, thotë ajo. Babain, thotë, e kishin regjistruar pa e ditur, në lokalin e tij, ndërsa pinte një gotë me “gazetaren e infiltruar”. Nëna i kishte treguar se te dera i kishin shkuar gazetarë të Fiks Fare, të hequr si punonjës të shërbimit social. Deklarimeve të mëparshme para prokurorëve u qëndron. Por që nga marsi, thotë, “nuk kam marrë më presione nga vendi im i punës apo persona të tjerë, vetëm kam marrë provokime nga gazetarët e emisionit Fiks Fare”. Gruaja që duhej të provonte frikën nga shtriga shkoi në prokurori të ankohej për kasnecët. Këtë nuk e kam parë ta transmetojë Top Channel.

Gjithë Tirana e di pse kasnecët u egërsuan në shtator e tetor. Prisnin që prokuroria t’i rëndonte akuzat dhe t’i kërkonte Kuvendit për herë të dytë arrestimin e saj. Këtë nuk e fshehën, e vunë në titull. Më 14 shtator Top Channel pyeti “Pse SPAK po vonon për Ballukun?”, dhe po atë mbrëmje, në Top Story, “Pse nuk është e arrestuar Belinda Balluku?”. Më 11 tetor: “Balluku me 14 akuza penale dhe ende e lirë”. Mbi barrën që ajo mban tashmë në shpinë donin të shtonin gurë, derisa të binte. Turra e druve ishte gati, dhe prisnin vetëm shkrepësen nga prokuroria. Shkrepësja nuk erdhi. Më 28 tetor SPAK-u i mbylli hetimet pa kërkuar arrest. Më 5 nëntor, në të njëjtin ekran, kjo u quajt “shpëtim i qeverisë”. Po atë mbrëmje i njëjti i ftuar tha se fuqia e Ballukut është njësoj si kur ishte zëvendëskryeministre, dhe emisioni tregoi nënën e princit me ushqimin.

Dosja e saj lexohet në ekran faqe për faqe, “e siguruar nga Top Channel”. Një portal i madh shkroi në titull për kutinë me euro “në vilën e Belinda Ballukut”, dhe në tekst se vila vetëm “dyshohet” të jetë e saj. Për të shkruhet nga dosja e prokurorisë, për të nga letrat e tij.

Nga ato letra ka dalë edhe përralla brenda përrallës. Princin, thonë ai dhe avokati i tij, e ka futur në kullë një zarf pa emër, një farë Nesti Angoni, dhe zarfin e ka porositur vetë kryeministri. Asnjë nga mediat e mëdha nuk e ka vënë në provë këtë. E përsërisin me fjalët e tij: “letra anonime”, “paraburgim politik”. Askush nuk pyet a është e vërtetë ajo që shkruhej në zarf. Pyesin vetëm kush e dërgoi, sikur porosia ta zhbënte denoncimin. Prokuroria nuk gjykon zarfin. Zarfi hap një hetim, dhe aty i mbaron puna. Pas tij kanë ardhur mbi gjashtëdhjetë mijë faqe dhe trembëdhjetë akuza, që qëndrojnë ose bien në gjyq, kushdo qoftë Angoni. E njëjta masë vlen për shtrigën: edhe akuzat e saj fitohen ose humbin në gjykatë. Një muhabet kafeneje peshon sot në ekran më shumë se gjashtëdhjetë mijë faqe.

Letrën për kuvendin e partisë ekranet e morën si lajm protokollar. Në një studio u diskutua vetëm a do ta japë prokuroria lejen, dhe fjala e një të ftuari, “e drejtë legjitime e kryebashkiakut”, u bë titull. Tri ditë pas kuvendit princi ka seancë gjyqi, dhe për atë nuk kërkoi urgjencë askush. Imagjinoni sikur shtriga të kërkonte nesër një ditë në ministri, vetëm sa për të dhënë mendimet e saj për të ardhmen. Fiks Fare do të kishte hapur sezon të ri.

Kulla ka arkë. Bashkia e Tiranës ka paguar për vite festivale, koncerte, evente e reklama, dhe njerëz të njohur të ekranit e të skenës kanë punuar me ato para. Vula që i paguan është ende në dorën e tij. Një nga miqtë e tij më të njohur të ekranit, Ardit Gjebrea, që pas arrestimit shkroi se ishte krenar që e kishte mik, u thirr më 6 nëntor në SPAK si dëshmitar. Fqinjët e kanë parë këtë film. Në Budva një kryetar e drejtoi qytetin njëzet e dy muaj nga burgu, dhe gazetarët atje gjetën një kontratë katër milionë e gjysmë euro me një njeri të tij. Te ne, listën e letrave të firmosura në kullë nuk e ka kërkuar asnjë redaksi.

Shtrigës ia morën zyrën dhe i lanë një legjendë: një grua pa vulë që komandon gjithçka. Princit ia lanë vulën mbi arkën që e ka ushqyer oborrin e tij për më shumë se dhjetë vjet. Rrjeti i saj kërkohet me kamerë të fshehtë. I tiji paguhet me urdhërshpenzim.

Shqiptarët vdesin për teori. Ja ku po e jap edhe unë një, megjithëse e imja është pak më shumë se teori. Në përralla princ nuk bëhesh, lind në oborr. Në Tiranë ka një rreth njerëzish që janë rritur bashkë dhe janë shkolluar bashkë. Politikisht e profesionalisht i kanë ngritur të njëjtat rrjete dhe të njëjtat fonde të huaja. Sot i gjen kudo, deri në Gjykatën Kushtetuese. Në ditë të zakonshme secili bën punën e vet. Në çaste kritike aktivizohen, dhe rregullat e standardet rishkruhen. Erioni është i oborrit. Bela nuk është. Dhe gruas që ka pushtet pa qenë e oborrit, përrallat tona ia kanë gjetur emrin prej kohësh.

Këtë unë e quaj komplot kundër Belës.

Emra nuk vë. Për këtë nuk ka procesverbal, ka vetëm dy vendime të së njëjtës gjykatë, dy muaj televizion dhe dy biografi. Kush ka shpjegim më të mirë pse ligji lexohet ndryshe për secilin, le ta japë. Mbi teorinë time nuk kërkoj të lirohet dhe as të dënohet njeri.

Prokuroria ka dy rrugë të ndershme me princin: t’ia marrë vulën, ose t’ia hapë kullën. Me shtrigën ka një: ta çojë në gjyq dhe ta lërë gjykatën të flasë, jo kasnecët.

Përrallat mbarojnë me dasmë ose me turrë drush. Kjo e jona i ka gati të dyja. I mungon vetëm gjyqi.



Skip to toolbar