Tmerri i bombolave, fotot e dëmeve: “Shpërthimi, kur gruaja po gatuante”

AKTUALITET


Një bombol gazi ka shpërthyer mëngjesin e së mërkurës në Selenicë, duke shkaktuar plagosjen e një çifti dhe përfshirjen e banesës nga flakët. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 05:53 dhe të plagosur janë pronarët e banesës 49 vjeçari Rexhep Selimi dhe bashkëshortja e tij 42 vjeçare Mimoza Selimi. Gruaja raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Sipas policisë së Vlorës, nuk ka persona të tjerë të dëmtuar nga shpërthimi, pasi në banesë ishte vetëm çifti dhe zjarri nuk përbën rrezik për banesat e tjera, pasi janë në një distancë të largët. Çifti kishte dy bombola gazi në banesë, njërën 15 litra dhe tjetra 4, ndërsa vetëm njëra raportohet se shpërtheu.

Grupi hetimor po vijon veprimet e mëtejshme procedurale për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit të bombolës, paraprakisht dyshohet se ka pasur rrjedhje gazi. Kujtojmë që ditën e hënë shpërtheu në Bllok një bombol që përdorej për përpunimin e floririt në ambientin e bodrumit të një argjendarie, ndërsa u plagosën pronarët burrë e grua. Shpërthimi erdhi si pasojë e një pakujdesie.

Çifti Selimi në Selenicë ka tre fëmijë, dy punonin në Dhërmi, ndërsa tjetri në Greqi. Djali i fundit i çiftit Muhamet Selimi shprehet se punonte në Dhërmi dhe e ka lajmëruar kushëriri që i ka thënë se të ka plasur bombola në shtëpi. Ai tregon se nëna e tij e kishte blerë dje bombolën dhe dyshon se mund ta ketë harruar hapur duke sjellë shpërthimin. “Më tha kushëriri në orën 01:00 të natës, por nuk e dija nëse ishte për këtë apo tjetër. U nisa dhe erdha në orën 06:00. Më thanë se ka plasur bombola në shtëpi dhe vetëm mami ishte djegur dhe babai vetëm se është plagosur pak. Kishim një bombol të vjetër, atë e hoqëm, mami mori një tjetër të re dhe nga momenti i momentit në darkë mund ta kenë harruar hapur. Ka pasur rrjedhje të gazit”, tha Muhamet Selimi.

Fqinjët tregojnë se shpërthimi ndodhi në orën 05:30 nga bombola. “Ajo ishte ngritur për të bërë bukën gati për në minierë dhe plasi bombola. Banesa është dëmtuar. Edhe fqinjit i ka rënë ballkoni nga shpërthimi. Ishin vetëm burrë dhe grua, pasi fëmijët, njërin e ka në Greqi dhe dy në Dhërmi. Gruaja ka marrë më shumë dëmtime, ndërsa burri më pak dëmtime. Janë në gjendje ekonomike shumë të rëndë, te buka e gojës. Shteti të verë dorë. Edhe ne do të kontribuojmë”, tregon një nga fqinjët.

Ndërsa fqinja, Shemsie Islami tregon momentet e tmerrit të familjes Islami nga shpërthimi i bombolës. Ajo thotë se shpërthimi e hodhi në oborr gruan, ndërsa i burri bërtiste duke thirrur emrin e saj. “Shpërthimi ishte i paparë, dolën jashtë e pamë. Çdo gjë kishte marrë fund, atë e hodhi bombola jashtë në oborr, iu ngjit fustani pas trupit, ia hoqa unë, i ra 5 herë të fikët, e mori ambulanca dhe iku. Janë në gjendje shumë të keqe ekonomike. Nuk kanë bukë. Ishte pa ndeja, bërtiste i shoqi ‘O Moza, o Moza’. Fëmijët punonin në Dhërmi për të nxjerr lekët për të rregulluar shtëpinë se flinin jashtë” tha ajo.

Edhe nënkryetari i Bashkisë  së Selenicës, Neim Veshi, ka shkuar në vendin e ngjarjes pas lajmit të shpërthimit të bombolës së gazit në shtëpinë e çiftit  Selimi. “Është një shpërthim shumë i fuqishëm, fatmirësisht nuk ka viktima. Të dy kanë shkuar me urgjencë në spital. Burri është me dëmtime të lehta, ndërsa zonja ka dëmtime serioze. Uroj që Zoti ka shërojë sa më shpejt. Kur janë ngritur në mëngjes sapo kanë ndezur dritën ka ndodhur shpërthimi, ka pasur rrjedhje gazi gjatë gjithë natës. Të gjitha dhomat janë dëmtuar”, deklaroi ai.



Skip to toolbar