Basha flet si Kryeprokuror, premton hetim Ramës e politikanë në pranga

AKTUALITET


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka premtuar të premten se kur të bëhet kryeministër do të hetojë të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria Rama, duke nisur që nga juristi më i thjeshtë e deri te kryeministri, ministrat dhe ish ministrat. Kushdo që ka firmosur një koncesion do të jetë objekt i një hetimi të gjërë që do të ndërmarrë PD dhe Basha kryeministër.

“Për qeverisjen e PD-së dhe të opozitës, që ditën e parë të qeverisjes, para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë tjetër, ne do të ndërrmarim një operacion të gjerë, të paparë ndonjëherë, me shtrirje nga Shqipëria në vendet e tjera për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë.

Ky operacion do të përfshijë: Krijimin e një kuadri ligjor radikal kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar.

Hetimin dhe ndëshkimin e gjithë veprimtarisë kriminale të qeverisë në fushën e prokurimeve dhe licensimeve publike.

Çdo kontratë konesionare, çdo kontratë shtetërore do të konsiderohet si vepër e mundshme kriminale dhe do të hetohet pa asnjë përjashtim.

Çdo ent dhe kompani private, çdo person privat dhe publik, i përfshirë në hartimin dhe miratimin e këtyre kontratave, nga juristët e thjeshtë deri tek kryeminsitri, do t’i hetohet pasuria dhe të ardhurat, pa asnjë përjashtim në Shqipëri dhe kudo që t’i ketë”, është shprehur Basha.

 Ai premtoi se hetimi do të përfshijë pasurinë e të gjithë ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të tanishëm.

“Ata ish-ministra, ish-sekretarë të përgjithshëm, ish-drejtorë etj, që janë larguar, mbasi mbushën xhepat, dhe që sot po investojnë në biznese, në vila, në luks, në restorante, nuk kanë për të shpëtuar.

Zbulimi dhe rikuperimi i aseteve të vjedhura do të jetë prioritet absolut”, tha Basha ndërsa zbuloi se politikanët shqiptarë kanë llogari bankare në Qipro, në Singapor apo në Ishujt Kajman. Ai premtoi këto para do t’u kthehen shqiptarëve.

Basha bëri të ditur se PD ka marrë ekspertizë të huaj për hartimin e një programi të posaccëm për hetimin  politikanëve, ndërkohë që thekson se do të ketë politikanë në pranga.

“Ne jemi në kontakt me agjensitë kryesore në botë për luftën kundër krimit ndërkombëtar nga Europoli tek agjencitë britanike, hollandeze, gjermane dhe amerikane. Të gjitha janë shumë të gatshme të ndihmojnë. Ndërkohë, ne po hartojmë, që tani, disa ligje për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave:

Një paketë të tërë ligjore për deklarimin dhe kontrollin e aseteve të politikanëve dhe punonjësve publikë. Politikanët dhe punonjësit publikë nuk do të mundin të blejnë dot as një kostum e jo më vila dhe makina të shtrenjta apo shkollime jashtë vendit për fëmiëjt e tyre pa u hetuar për burimin e parave.

Politikanët me pranga në duar janë kontributi më i rëndësishëm për mirëqeverisjen”, thekson Basha.

Këto premtime Basha i bëri në një deklaratë për mediat teksa akuzoi qeverinë se po bën korrupsion përmes miratimit në seancën e së enjtes në parlament, ku u miratuan ndërtimi përmes koncesionit të dy segmenteve rrugore Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

Basha tha se këto akte të Ramës janë kriminale dhe korruptive ndërsa zbuloi planin e PD-së kur të vijë në pushtet.

Së fundi duket se PD ka ndryshuar strategji duke lënë pas krahëve protestat dhe duke u përqëndruar tek ekonomia dhe lufta brenda institucioneve. Pasi mbeti pa asnjë pushtet Basha ka nisur të bëjë plane për hapat që do të marrë kur të jetë kryeministër.  

Por ajo që bie në sy është përpjekja e qeverisë “Basha” kur të vijë në pushtet për të marrë rolin e kryeprokurorit, ndërkohë që në Shqipëri pushtetet janë të ndara. Aktualisht reforma në drejtësi po ecën sipas kërkesave të ndërkombëtarëve dhe hetimi i zyrtarëve të lartë do të bëhet nga SPAK e BKH. Por siç duket Basha kërkon ta bëjë vetë këtë kur të jetë kryeministër.



Skip to toolbar