Kolegji Zgjedhor ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për të certifikuar këshillin bashkiak të Urës Vajgurore, duke i hapur rrugë betimit të kryetarit të ri të bashkisë.
Ndërkohë priten vendimet edhe për Devollin, Kuçovën, Konispolin, Memaliajn, Përmetin dhe Poliçanin. Ndërsa të martën do të shqyrtohen 13 të tjera, Mirditë, Finiq, Pukë, Pustec, Pogradec, Vau i Dejës, Mat, Fushë Arrëz, Delvinë, Roskovec, Kavajë, Dropull dhe Peqin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të certifikonte këshillat bashkiakë, pasi nuk kishte 5 votat e mundshme që duheshin duke qenë se në çdo vendim që është marrë për 30 Qershorin, kryetari i KQZ-së Klement Zguri ka votuar kundër. Përballë faktit se KQZ nuk mund të vendoste për këshillat, PS-ja iu drejtua Kolegjit duke marrë certifikimin për bashkinë e parë.
Certifikimi i hap rrugë mbledhjes së parë të këshillave dhe betimit të kryetarit të ri të bashkisë për çdo njësi vendore. Opozita i dërgoi të hënën një letër Kolegjit Zgjedhor ku i kërkoi pezullimin e dhënies së mandateve për Këshillat Bashkiakë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë.
Me rrëzimin e ankimimeve të bëra nga Bindja Demokratike dhe me certifikimin e këshillave bashkiakë, vendim i cili është i paapelueshëm, atëherë respektivisht Kolegji Zgjedhor ka njohur edhe zgjedhjet e 30 qershorit.