Katër prokurorë belgë në Tiranë për Lulzim Bashën

AKTUALITET


Katër prokurorë belgë kanë mbërritur në Shqipëri dhe mësohet se do të marrin në pyetje kryedemokratin Lulzim Basha në lidhje me çështjen e ‘Toyota Yaris’.

Burime nga prokuroria thanë se prokurorët belgë do të zhvillojnë takime me grupin që po kryen hetimet për dosjen, si edhe me prokurorë të Krimeve të Rënda, Doloresa Musabelliu dhe Ened Nakuci.

Prokuroria e Belgjikës ka kërkuar të merret në pyetje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me rastin e bllokimit të 3.4 milionë eurove të fshehura në “Toyota Yaris” , ndërsa nuk dihet nëse ky grup prokurorësh belgë do të asistojnë gjatë marrjes në pyetje të kreut e PD-së. Kryedemokrati Basha ishte personi që denoncoi në Kuvend çështjen e ‘Toyota Yaris’.

Të martën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë dhënë dëshminë e tyre Agim Ceka shoferi i kamionit ku ndodhej ‘Toyta Yaris’ dhe Alban Mollaymeri, pritësi i makinë. Prokurorët belgë mësohet se do të qëndrojnë në Shqipëri deri të enjten, kur do të pyetet edhe kreu i PD, Lulzim Basha.

Aksioni për bllokimin e sasive të eurove u finalizua me 24 qershor të vitit të kaluar, ndërsa eurot me prerje të ndryshme ishin fshehur në një makinë tip “Toyota Yaris” pa targa. Mjeti ishte nisur nga Belgjika dhe nuk kishte destinacion përfundimtar.



Skip to toolbar