Fact-checking/ Basha gënjen tropojanët për diskriminim nga qeveria Rama

Më të fundit


Kreu i opozitës ka deklaruar se qeveria ka diskriminuar bashkitë e veriut për të ndëshkuar politikisht qytetarët që nuk mbështesin qeverinë e Edi Ramës, por në të vërtetë rezulton se Bashkia e Tropojës me në krye Besnik Dushajn, ka qenë ndër të paktat bashki që është vlerësuar dhe mbështetur nga kryeministri Rama.

Këtë deklaratë, Basha e ka bërë gjatë një takimi me strukturat e Partisë Demokratike në Tropojë, ku në fjalën e tij nuk ka thënë pothuajse asgjë për tropojanët apo për programin e PD, por ka folur për bregdetin e Durrësit dhe për oligarkët që sipas tij po pasurohen nga kontratat që u ka dhënë Rama në kurriz të varfërisë së njerëzve. Në këtë kontekst, kreu i opozitës, i cili ndodhet në një tur takimesh në  veri dhe verilindje të vendit tha se fondet kanë shkuar për bashkitë kliente të Edi Ramës.

Megjithatë, rezulton se Tropoja nuk ka qenë një nga bashkitë e lëna pas dore nga qeveria, siç pretendon Basha. Nga një verifikim i realstory.al rezulton se Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj ka qenë një ndër bashkiakët e vlerësuar nga kryeministri Rama. Gjatë takimeve elektorale, madje edhe në Tropojë, kryeministri Rama është shprehur se Dushaj ka bërë shumë punë dhe prandaj nuk është kursyer edhe mbështetja ndaj tij, ndryshe nga krerët e Bashkisë Shkodër dhe Pogradec. “Tropoja është shembull shumë kuptim plotë i faktit se ne nuk i paragjykojmë kryetarët e bashkive. Nuk është faji im që në Shkodër nuk ka kryetar bashkie, dhe në Pogradec, ku kryetarët e bashkisë rrinë në zyrë e tundin flamurin e PD. Ndaj, unë ju them kaq, se kryetari i bashkisë ka bërë këtu gjithë këto punë”, ka deklaruar Rama në takimet elektorale.

Sipas të dhënave, qeveria ka investuar rreth 150 milionë lekë për rikualifikimin e shëtitores së qytetit Bajram Curri. Një sipërfaqe prej 30.000 m2 është tjetërsuar nga një parkim me gropa e baltë, në një hapësire urbane. Një projekt tjetër i financuar nga qeveria Rama për Tropojën, tejet i rëndësishëm është edhe ai për rikonstruksionin e rrugës Bajram Curri–Cernicë, me gjatësi 3.7 kilometra dhe vlerë investimi 42 milionë lekë, e lënë në harresë që prej viteve ’80-të, kur janë bërë edhe ndërhyrjet e fundit.  Po ashtu, qeveria në bashkëpunimin me Fondin Shqiptar të zhvillimit ka miratuar projektin për rikonstruksionin e dy ujësjellësve, nga të cilët përfitojnë ujë të pijshëm 18 fshatra.

Duke verifikuar shpenzimet e bëra nga Bashkia Tropojë rezulton se vlera e dy projekteve të para të financuara nga qeveria Rama është sa 1/3 e gjithë investimeve të bëra nga kjo bashki në katër vite. Konkretisht për katër vite, Bashkia Tropojë ka zhvilluar 343 tenderë me vlerë totale fituese rreth 625 milionë lekë të reja, ndërsa vetëm nga dy projektet e përmendura më lart, qeveria shqiptare ka dhënë rreth 200 milionë lekë të reja. / Realstory.al



Skip to toolbar