Grabitja e Rinasit, sekuestro 500 mijë eurove pasuri në Elbasan

AKTUALITET


Prokuroria e Elbasanit ka vendosur sekuestro të pasurisë së Klement Çalës, një ndër autorët e grabitjes në Rinas, dhe një person me rekord të pasur kriminal, i cili jeton në arrati që prej 2013. Pasuritë janë sekuestruar pasi kanë ardhur si pasojë e veprimtarive kriminale. Në sekuestro u përfshinë apartamente, truall dhe aksione në kompani të ndryshme që me një vlerësim paraprak të policisë kapin vlerën rreth 500 000 Euro.

Pasuritë që i përkasin dy vëllezërve, Klement Çalës dhe Eldi Çala, u sekuestruan gjatë aksionit të koduar  “Kusarth”. Në kuadër të operacionit, u vendos sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme dhe aksioneve në pronësi të tyre, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si më poshtë:

-1 apartament me sipërfaqe 50 m2, në qytetin Elbasan;

-pasuri e llojit arë + truall me sipërfaqe 500 m2 dhe një ndërtesë e llojit njësi me sipërfaqe 167,9 m2 e ndërtuar mbi këtë pasuri, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan;

-pasuri e llojit arë me sipërfaqe 809,5 m2, mbi të cilën është regjistruar kontrata e sipërmarrjes për ndërtimin e 3 vilave nga 1 kat + nënçati me sipërfaqe 166 m2 secila, me vlerë investimi 15.662.000 secila, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan;

-50 % e aksioneve të një shoqërie në zotërim të shtetasit E.Ç, në vendin e quajtur Bradashesh, Elbasan.

Po ashtu bëhet me dije se po vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të këtij shtetasi ose familjareve te tij.

Policia vijon të jetë në kërkim të Klement Calës, person me rekorde të theksuara kriminale në fushën e grabitjes në Shqipëri e Greqi, vëllait të tij Eldi Çala, si dhe Talo Çalës të shpallur në kërkim lidhur me grabitjen e ndodhur në Rinas në 9 prill të këtij viti, ku u morën miliona euro në pak minuta dhe mbeti i vrarë Admir Murataj.



Skip to toolbar