Zhbllokohet Kushtetuesja, emrat e 4 kandidatëve të parë për 6 vende vakante

AKTUALITET


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka hapur rrugë të enjten plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, boshatisja e të cilës për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, është kthyer në ‘mollë sherri’ mes opozitës dhe mazhorancës. KED ka publikuar ditën e djeshme listën e parë me katër kandidatë për gjashtë vende vakante në Kushtetuese, të shpallura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi.

Pjesë e listës së parë për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese është këshilltarja ligjore në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi, e cila është kualifikuar për vendet vakante të shpallura nga Presidenti në datat 7 korrik 2018 dhe 4 mars 2019, si dhe për vendet vakante të shpallura nga Kuvendi në datat 12 shkurt 2018 dhe 4 mars 2019. Kandidati tjetër është prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, i cili është kualifikuar si kandidat për vendi vakant i shpallur nga Presidenti në 7 korrik 2018 dhe nga vendi vakant i shpallur nga Kuvendi në 13 shkurt 2018.

Fiona Papajorgji, këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, është shpallur kandidate për t’u bërë pjesë e kësaj gjykate, për vendet vakant të shpallura nga Presidenti në 7 shkurt 2018 dhe 4 mars 2019 si dhe për vendit vakant të shpallur nga Kuvendi po në 4 mars 2019. Kandidatja e katërt është Regleta Panajoti, e kualifikuar për vendin vakant të shpallur nga Presidenti në 7 shkurt 2018.

Ndërkaq, KED ka përjashtuar nga gara Anila Gurin,  Dedë Kasnecin, Ilir Mustafajn, Mimoza Qinamin dhe Vladimir Gërmenjin. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po verifikon edhe kandidatët e tjerë nëse plotësojë apo jo kushtet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Kur të plotësohen tre kandidatë për çdo vend vakant të shpallur, KED do t’u dërgojë për votim emrat Kuvendit dhe Presidentit. Në mbledhje e radhës, KED të vendosë lidhur me lejimin ose ndalimin e kandidimit e kandidatëve Elsa Toska dhe Gëzim Allaraj në vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, si edhe për kandidaten Eris Hysi për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shtyhen për mbledhjen e radhës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, tre nga Presidenti dhe tre nga Gjykata e Lartë, pas verifikimit dhe me propozim të KED. Aktualisht janë 8 vende vakante në Kushtetuese, e cila ka mbetur vetëm me një anëtare, Vitore Tushës, të cilës i ka mbaruar mandati, por që mund të qëndrojë në detyrë deri kur të zëvendësohet./Shqiptarja.com



Skip to toolbar