Basha kërkon ndihmën e mirditorëve për të ardhur në pushtet

Më të fundit


Kreu i PD po vijon turin e tij për të mbledhur partinë pas dështimit të 30 qershorit, ku të dielën ka vizituar Mirditën, duke kërkuar ndihmën e tyre që të arrihen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale. Në takimin me mirditorët, Basha nuk ka përmendur dorëheqjen e Ramës, por ka kërkuar qeveri tranzitore, ndërsa ka zbutur tonet duke deklaruar se PD në pushtet mund të vijë vetëm përmes kutisë së votimit, duke bërë një tërheqje nga “Rama ik”.

“Rruga jonë për ta kthyer refuzimin masiv të 30 qershorit nga një shumicë ‘Rama ik’ në një shumicë qeverisëse, kalon përmes kutisë së votimit. Për këtë askush nuk ka asnjë iluzion. Qëllimi i protestave ka qenë, është dhe mbetet të diktojë kushtet minimale për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Basha në takimin me demokratët e Mirditës, duke vënë në dukje se ky mbetet objektiv i pandryshueshëm për PD.

Duke theksuar se PD e ka nisur këtë betejë për interesin e njerëzve, Lulzim Basha shprehu vendosmërinë për ta çuar atë deri në fund për interesin e njerëzve. “Ardhja e Partisë Demokratike në pushtet do të jetë dita e nisjes së një ndryshimi pozitiv për çdo shqiptar, pa dallime partiake, edhe për socialistët, për të gjithë. Ne jemi gati t’u tregojmë shqiptarëve rrugën e shpresës, rrugën e ndryshimit të thellë politik dhe ekonomik të vendit”, deklaroi kreu i opozitës.



Skip to toolbar