Shkarkimi i Metës në shtator? Komisioni i Venecias fut në axhendë kërkesën e Kuvendit

AKTUALITET


Komisioni i Venecias ka futur në axhendën e punimeve të tij kërkesën e dërguar nga Kuvendi i Shqipërisë për të dhënë opinion rreth të drejtës që ka presidenti në një republikë parlamentare për të dekretuar dhe çdekretuar datën e zgjedhjeve.

“Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë i ka kërkuar Komisionit të Venecias opinion në konferencën më të afërt, rreth të drejtës së Presidentit për të vendosur datën e zgjedhjeve në një sistem parlamentar”, shkruhet në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Metës u vendos që parlamenti i Shqipërisë të merrte edhe opinionin e Komisionit të Venecias në lidhje me këtë nismë për shkak se është një procedurë parlamentare që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Maxhoranca dhe Kuvendi kanë vendosur që të ndjekin në mënyrë rigoroze të gjitha procedurat ligjore për shkarkimin e Metës në mënyrë që të mos lënë vend apo hapësira për interpretime të dyshimta.

Me futjen në axhendë të kësaj kërkese,  Komisioni i Venecias pritet që ta shqyrtojë këtë çështje në mbledhjen e tij më të afërt që është në tetor. Por nisur nga praktika e punës e Komisionit të Venecias, përpara se të japë mendimin final sa i takon kërkesës së mazhorancës, pritet që të japë një opinion të ndërmjetëm. Me shumë gjasa gjatë muajit shtatorit ky opinion do të jetë në dorën e Kuvendit dhe do të shfrytëzohet nga mazhoranca pa humbur kohë. Kështu, nëse opinioni i ndërmjetëm i dhënë nga Venecia do t’i japë të drejtë mazhorancës, duke bërë “fajtor” Presidentin Ilir Meta, ajo do të vijojë pa humbur kohë me procedurat e shkarkimit të kreut të shtetit. Sipas të gjitha të dhënave pritet që presidenti Meta të shkarkohet në shtator. Dhe fill pas vendimit të parlamentit çështja do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese e cila do të thotë fjalën e fundit.

Gjykata Kushtetuese pritet të ngrihet shumë shpejt dhe deri në shtator do të jetë gati të thotë mendimin e saj.



Skip to toolbar