Kreu i shtetit i ka kthyer përgjigje negative Kuvendit të Shqipërisë për t’u paraqitur në Komisionin Hetimor, i cili kërkoi më 17 korrik që të pyesë Metën mbi procedurën e hapur për shkarkimin e tij për dekretin e anulimit të 30 qershorit, duke i vënë në dukje që Parlamenti të fokusohet më mirë te ligjet në shkelje të Kushtetutës se te hetimi i dekreteve të Presidentit. Meta i thotë Kuvendit se mund të gjejë të gjithë informacionin e nevojshëm të botuar në faqen zyrtare të Presidentit, ndërsa për shtyrjen e zgjedhjeve përmend si precedent edhe Ramiz Alinë në vitin 1991.
“Është e nevojshme të risjellim në vëmendje se zhvillimi i proceseve zgjedhore kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë aspak rastet e precedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm dhe për konsolidimin e demokracisë së brishtë shqiptare”, deklaron Meta, i cili për koherencë përmend rastin e Ramiz Alisë në vitet 1990, duke e vlerësuar për përgjegjshmërinë e tij. Ndërkohë, kreu i shtetit përmend edhe rastin e shtyrjes së zgjedhjeve nga ana e Moisiut në vitin 2007, por ndryshe nga rasti i Metës, Presidenti në atë kohë pranoi të shtynte zgjedhjet, vetëm pasi palët politike ranë dakord dhe bënë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor. Po ashtu, ai përmend edhe rastin e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2017, që u shtynë me një javë, pasi opozita kishte bojkotuar institucionet dhe ishte vendosur në çadër. Pas marrëveshjes Rama-Basha, të dyja palët i kërkuan Presidentit të vendoste një datë të re zgjedhjesh, të cilat nga 18 qershori, u shtynë më 25 qershor 2017.
Por në secilin rast, vlen për t’u përmendur marrëveshja politike, ndërkohë që për vitin 2007, ka pasur edhe ndryshimet ligjore përkatëse. Megjithatë, për Metën, mungesa e marrëveshjes politike midis palëve nuk mund të kufizonte kompetencat e Presidentit të Republikës të ndërhynte për të caktuar një datë të re zgjedhjesh për pushtetin vendor.
Në letrën refuzuese që i ka dërguar Kuvendit, kreu i shtetit përsërit edhe qëndrimin e një dite më herët për vendimin që mund të marrë Gjykata Kushtetuese për 30 qershorin. Sipas tij, vendimi do të ketë vlerë për të ardhmen se si mund të sillet Presidenti në raste të ngjashme, por vendimi nuk mund të ketë efekt prapaveprues. Sipas Metës, shfuqizimi i 30 qershorit është në fuqi dhe kjo datë është djegur për këtë vit. “Dua t’ju theksoj personalisht Ju, por dhe Kuvendit të Shqipërisë, se cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai do të ketë vlerë vetëm për të ardhmen dhe mund të ndikojë për sjelljen e Presidentit në situata të ngjashme, por kurrsesi ky vendim nuk mund të ketë efekt prapaveprues për të legjitimuar procesin e votimeve joshtetërore, vetëm me një konkurrent tashmë siç është realizuar më 30 qershor 2019”, thuhet ndër të tjera në reagimin e presidentit.
Duke përmendur mungesën e Gjykatës Kushtetuese, kreu i shtetit kalon në kundërsulm ndaj Kuvendit, duke i kërkuar që të tregohet më i kujdesshëm me ligjet që miraton. “Nëse do të kishim pasur në vijimësi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, ajo do të mund të shqyrtonte disa prej ligjeve të miratuara nga Kuvendi, të cilët në vlerësim të Presidentit të Republikës janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe cenojnë rëndë interesin publik në vend”, thotë Meta, ku përmend ndryshimin e ligjit për dividentin në vitin 2018, të cilin e cilëson antikushtetues, pasi është miratuar me fuqi prapavepruese.
Meta shfaqet shumë i shqetësuar edhe për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe për këtë nuk ka hezituar ndihmën e Gramoz Ruçi. Kreu i shtetit kërkon nga Ruçi që të ndërhyjë tek kryeministri Edi Rama që të mos asgjësojë PD-në, duke e etiketuar këtë të fundit si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë.
“Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë”, shkruan Meta.
Madje, ai thumbon Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, të cilit i kujton përvojën e gjatë në politikë dhe duke e cilësuar kuvendin anormal. “Në kushtet aktuale, Kuvendi i Shqipërisë e ka kaq të nevojshme përvojën dhe largpamësinë për zgjidhje të mençura dhe kontribuuese, që t’i shërbejnë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian në 18 tetorin që po afron dhe në këtë mënyrë çdo ditë ai duhet të mendojë dhe veprojë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe aspiratës mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian. Besoj se ju me përvojën tuaj do ta ndihmoni Kuvendin të rikthehet në normalitet”, përfundon Meta.