“Atentat me tritol ndaj nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës”. Ngjarja e rëndë, e denoncuar nga PD, ka ndodhur mesnatën e së dielës, kur shtëpia e Vendim Demajt, Nënkryetar në detyrë i Bashkisë Kamëz është sulmuar nga persona të paidentifikuar me eksploziv. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, pasi Demaj dhe familja e tij nuk ndodheshin në shtëpi.
Për këtë ngjarje të rëndë, deri në mesditë, policia nuk kishte dhënë asnjë informacion, ndërsa sulmi me tritol është bërë publik nga Partia Demokratike, e cila ka dënuar këtë akt të rëndë dhe ka akuzuar se këto janë sulme politike.
“Policia e Shtetit po e fsheh këtë ngjarje të rëndë dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë për agresorët. Bashkia e Kamzës prej kohësh është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Rama dhe disa strukturave të tjera të pushtetit. Por vendosja e tritolit në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës përbën një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Edi Ramës”, deklaroi PD, e cila shtoi se fshehja e ngjarjes nga policia nuk i kontribuon as zbardhjes së saj e as kthimit të qetësisë në Kamzës.
Sipas PD, nëse do të vijohet edhe më tej duke fshehur ngjarjen, jo vetëm familja e Vendim Demajt, por të gjithë qytetarët e Kamzës do të identifikojnë tek Policia e Shtetit bashkëpërgjegjësin kryesor, që në aleancë me krimin e organizuar, po rrezikon përditë sigurinë e tyre.