Banorët e Tiranës mund të kenë parandaluar ndonjë krim të rëndë, duke njoftuar policinë, për një person që lëvizte nëpër lokalet e Tiranës i armatosur. Menjëherë pas sinjalizimit, policia ka identifikuar personin dhe gjatë kontrollit i ka gjetur me vete një pistoletë dhe një thikë, mbajtja e të cilave e ka çuar në pranga 56-vjeçarin e identifikuar me inicialet S. H.
Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë nga komisariati nr. 3 falë bashkëpunimit me qytetarët. I ndaluari nga policia kishte hyrë në një lokal në rrugën “Don Bosko”, por është denoncuar nga qytetarët, të cilët kanë njoftuar në numrin 112, kur kanë konstatuar se ky person mbante një armë zjarri në brez. Gjatë kontrollit fizik, 56-vjeçarit iu sekuestrua pistoleta TT me 7 fishekë, thika dhe një sasi lekës.
Policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e këtij personi, ku ka gjetur dhe sekuestruar edhe 23 fishekë të tjerë luftarakë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, ndërsa po hetohet mbi arsyet e të arrestuarit, që lëvizte i armatosur nëpër Tiranë.