Nxjerrja e sekreteve nga prokuroria, sidomos përgjimet e çështjeve të nxehta, të cilat u çuan deri në mediat gjermane ka detyruar Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme të nxjerrë një udhëzim me detyra specifike për secilën prokurori, ku janë parashikuar edhe penalizimet përkatëse në moszbatimin e tij.
Udhëzimi i dërguar në çdo prokurori mban datën 30 korrik dhe aty është përcaktuar qartë sesi do bëhet publikimi i informacioneve çdo 24 orë nga prokuroritë, nëpërmjet koordinimit të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që ndalohet kategorisht publikimi i informacioneve sekrete dhe i informacioneve që nuk klasifikohen sekrete por që ende nuk kanë përfunduar hetimet paraprake. Sipas Markut, aktet cilësohen sekrete derisa i pandehuri ka marrë dijeni për to, kjo e cilësuar në nenin 9 të udhëzimit të lëshuar prej saj.
Ndërkohë, sipas nenit 21 të udhëzimit, prokurori për marrëdhëniet me publikun në çdo prokurori, duhet t’i dërgojë këshilltarit për marrëdhëniet me publikun të gjitha informacionet 24 orëshe të prokurorëve përkatës, të cilat nuk cenojnë ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit. Në këtë raport do të përfshihen ndalimet e personave me urdhër prokurori, kërkesat për caktimin e masave të sigurimit “arrest me burg”, kërkesat për arrestimit, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, kontrollet, sekuestrimet preventive dhe konservative, numri i çështjeve për të cilat është ngritur akuza në gjykatë dhe rastet e tjera që vlerësohen se janë me interes për publikun. “Këto informacione që do të dërgohen nga prokurorëte rretheve, duhet t’i përcillen medias për njoftim”, deklaron Arta Marku në udhëzimin e saj për të qenë e hapur ndaj medias, por njëkohësisht për të ngushtuar daljen e informacioneve sekrete nga ana e prokurorëve ose oficerët e policisë gjyqësore.
Në nenin 28 të udhëzimit përcaktohen edhe masat që do të merren në rast se nuk zbatohet ky udhëzim. “Shkeljet e këtij udhëzimi të përgjithshëm nga prokurori, oficeri, agjenti i policisë gjyqësore i seksionit apo nëpunësit e tjerë të prokurorisë, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë shkelje të disiplinës në ushtrimin e detyrës dhe shkak për fillimin e hetimit disiplinor ndaj secilit prej tyre”, deklarohet në udhëzim.
Deri më sot, kjo ka qenë e përcaktuar me lidh, por mungonin udhëzimet përkatëse. Tashmë, prokuroritë në secilin rreth gjyqësor do të jenë të detyruara zbatimin e këtij udhëzimi që ka hyrë në fuqi menjëherë.