Pavarësisht qëndrimit të ashpër që Salvini ka mbajtur për shkak të polemikave të tij me shtetet anëtare të BE, ai ka lejuar që 27 emigrantë në moshë të mitur të zbresin nga anija e shpëtimit “Open Arms”, e cila ka ankoruar në ishullin italian të Lampeduzës. Zëvendëskryeministri Mateo Salvini ka lejuar zbarkimin e tyre, edhe pse ka theksuar se kjo gjë bie ndesh me politikat e tij.
Sipas mediave italiane, ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini është dorëzuar përpara presionit të kryeministrit Giuseppe Conte, duke pranuar të lejojë zbritjen nga anija me emigrantë të 27 fëmijëve të pashoqëruar nga prindërit. Të miturit u lejuan kështu të zbrisnin në ishullin italian të Lampeduzës pas më shumë se 16 ditë në det. Ndërkohë, mbi 100 emigrantë të tjerë mbeten në bordin e anijes spanjolle të shpëtimit “Open Arms”. Kryeministri Konte e kishte quajtur Salvinin një njeri të obsesionuar nga mbajtja larg porteve italiane të emigrantëve.
Gjithashtu, të premten dy ministra refuzuan të nënshkruanin urdhrin e tij, që i ndalonte anijes të ankoronte në Lampeduza. Por në një letër të shkruar të shtunën Salvini, me ngurrim i bëri të ditur kreut të qeverisë se mund të lejonte të vegjlit që ndodheshin në anije, edhe pse theksoi se kjo gjë bie ndesh me politikat e tij. I menjëhershëm ishte reagimi i stafit të “Open Arms”, që përmes një postimi në Twitter u shpreh: “Evakuimi i të vegjëlve u arrit. Shumë lot. Ata kanë lënë pas miq të shumtë dhe shokë udhëtimi”. Grupi i bamirësisë tha se të rriturit që mbetën të varkë dhe po ashtu dy fëmijë të shoqëruar nga prindërit po jetojnë në kushte të vështira.