Pasditen e të mërkurës është shënuar një tjetër rast i kanosjes me armë zjarri, këtë herë, një 26-vjeçar ka kanosur nje shtetase, të cilën e përndiqte sistematikisht. Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, mësohet se Specialistët për Krimet pranë Komisariatit të Policisë Berat, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit me inicialet F.M., 26 vjeç, banues në Urën Vajgurore.
Ky shtetas është arrestuar, pasi është kallëzuar në polici nga shtetasja me inicialet L.T., e cila ka deklaruar se 26-vjeçari e përndiqte vazhdimisht duke e kërcënuar me armë zjarri. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit F.M., u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik model 56.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprat penale ‘‘Përndjekja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’’. Ky është rasti i dytë vetëm të mërkurën, ku më herët u arrestua në fshatin Baltëz të Fierit një tjetër i ri, i cili tentoi të vriste me armë zjarri automatik një person 53-vjeç. Dy ditë më parë, një person u arrestua në Lushnjë pasi tentoi të vriste nënën e tij, pas një konflikti të çastit.