Gjermanët tradhtojnë Bashën, CDU/CSU gati të japin Ok për negociatat

POLITIKË


Gjermanët, tek të cilët Basha kishte mbështetur shumë shpresat duket e kanë tradhtuar në kauzën e tij, pasi sipas raportimeve të medias prestigjioze Deutsche Welle, pjesa më e madhe e grupimit CDU/CSU janë gati t’i thonë “po” Shqipërisë për negociatat.

DW ka mësuar këtë fakt nga qarqet e CDU/CSU në Berlin, ndërsa deputetët e grupimit më të madh në Bundestag, javën e ardhshme do të merren intensivisht me Shqipërinë, në kërkim të një qëndrimi për çeljen e negociatave. Të përfshirë do të jenë kryesisht deputetët krisitandemokratë e kristiansocialë të grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, i cili drejtohet nga nënkryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së Johann David Wadephul (CDU), si dhe grupet e punës për çështje të Bashkimit Evropian dhe të Jashtme. Gjatë javës së ardhme ata pritet të takohen si me përfaqësues të qeverisë gjermane, ashtu edhe me vetë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit pritet të jetë në Gjermani të premten e ardhshme (13.09) në Berlin. Sipas DW, një pjesë e madhe e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirë t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”, por ka edhe një pakicë të vogël, por të fortë, që mendon se Shqipëria nuk është ende gati as për këtë.

“Përveç kushteve të formuluara edhe më parë në lidhje me reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drogës, reformën zgjedhore, pritet të shtohen edhe kushte të tilla si, sqarimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të qershorit 2019, si edhe sqarimi i akuzave për shitblerjen e votave në disa zona”, raporton DW.

Këto kushte duket se janë shtuar pas akuzave të opozitës, e cila shpesh herë ka pasur takime me anëtarë të CDU/CSU, ndërkohë që në Shqipëri ka shprehur se nuk do të ketë hapje të negociatave, pa zgjedhje të lira, artikulim i bërë edhe nga Presidenti Meta. Megjithatë, gjermanët duket se më shumë kërkojnë që të bëhet sqarimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve në vazhdim, duke e vendosur si kusht, sesa të bllokojnë negociatat për Shqipërinë, ashtu siç është shprehur opozita. Gjithsesi të dyja kushtet që flitet se mund të kërkohen nga CDU/CSU tashmë i kanë hyrë procesit ligjor, pasi për zgjedhjet është bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa akuzat për shitblerje votash, aktualisht po ndiqen nga organi i prokurorisë.

Sipas DW, vendimin përfundimtar grupi i CDU/CSU-së pritet ta marrë në datën 24 shtator. Qëndrimi i CDU/CSU-së duhet të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD. Kjo e fundit, dhe Ministria e Jashtme e drejtuar prej saj, është shprehur qysh më parë për një fillim të menjëhershëm të negociatave me Shqipërinë. Nëse palët arrijnë t’i unifikojnë qëndrimet e tyre, pritet që më 27 shtator ky qëndrim të votohet në seancën plenare të Bundestagut.



Skip to toolbar