Patozi kërkon zgjedhje të parakohshme: E vetmja zgjidhje për krizën

AKTUALITET


Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi mendon se zgjidhja për krizën politike në vend do të vijë pasi të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Por më parë, thekson Patozi, duhet të bëhet reforma zgjedhore dhe të ndryshojë rrënjësisht KQZ.

Ai apelon që edhe opozita jashtëparlamentare ta mendojë seriozisht këtë kërkesë dhe të mendojë për zgjedhje të parakohshme, duke hequr dorë nga kushtet. (PD dhe LSI refuzuan të futeshin në zgjedhjet e 30 qershorit, pasi vendosën si kusht, largimin e Ramës nga posti i kryeministrit.)

“Opozita reale përfshirë edhe bindjen Demokratike, ne jemi të gatshëm që zgjedhjet të jenë të parakohshme dhe sa më të shpejta, po pas një reforme zgjedhore se ndryshe nuk do të kenë asnjë kuptim. Në qoftëse do të bëhen me sistemin dhe konfiguracionin aktual të KQZ-së nuk kanë asnjë kuptim. Ne nuk mendojmë se braktisja e zgjedhjeve është zgjidhje.

Ne sigurisht duam që ky sistem të çrrënjoset dhe të fillojë me ndryshimet kushtetuese, që sipas nesh dhe shumë aktorëve të tjerë janë thembra e Akilit për të zgjidhur problemin. Kriza sipas nesh e këtij sistemi dhe degradimi i tij ka ardhur si pasojë se partitë vetë nuk janë demokratike, partitë që nuk i bëjnë zgjedhjet vetë kanë pretendime të larta kur janë në garë me kundërshtarin atëherë thelbi i demokracisë  fillon tek vetë partitë, që sipas nesh janë problemi që ne kemi shkuar në këtë pikë”, është shprehur Patozi në një prononcim për Vizion Plus.

Shkarkimi i Metës

Ndërsa në lidhje me nismën e parlamentit për të shkarkuar Metën, Patozi deklaron se kriza nuk zgjidhet edhe nëse shkarkohet presidenti. Ai komenton edhe seancën dëgjimore të presidentit në Komisionin Hetimor parlamentar duke u shprehur se për një moment parlamenti i Shqipërisë, iu duk si ai holandez.

“E vetmja befasi ishte etika që palët shfaqën ndaj njëri tjetrit dhe me thënë të drejtën mua nuk më pëlqen shumë pasi kam parasysh se është i njëjti president e njëjta mazhorancë, shkumëzuan gjatë periudhës së verës dhe sidomos gjatë fushatës elektorale dhe nuk është më një shenjë e mirë, sepse kam përshtypjen se dëmet më të mëdha të këtij vendi  i shkaktohen kur palët vendosin që të bëjnë Pazar dhe jo kur palët janë emocionalë dhe e çojnë konfliktin deri në ekstrem. Sot pamë një pamje të përmbysur të kësaj, pamë një parlament që ngjasonte me atë hollandez dhe dukej sikur ose jemi para një pazari ose politika është aq hipokrite saqë përpiqej që të tregojë atë që në fakt nuk është”, ka deklaruar Patozi.

Raporti i OSBE-së

I pyetur për raportin e OSBE/ODIHR –it për zgjedhjet e 30 qershorit, Patozi është shprehur se zgjedhjet ishin më keq sesa shkruhej në raport.

“Vëzhguesit e ODIHR sado të vëmendshëm të jenë, janë të pamjaftueshëm për të parë të gjithë shkeljet dhe parregullsitë, që Bindja Demokratike pati mundësinë që t’i shihte me sytë e vet si një nga garuesit e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi parë dhe kemi evidentuar e çuar për ankimim shumë shkelje akoma më të rënda sesa ato që evidentonte raporti i OSBE-ODIHR dhe ajo që ka vlerë për publikun dhe jo vetëm për një parti politike, është se në atë raport që ishte përgjithësisht realist dhe të dy palët duhet të vënë duart në kokë sepse të dy palët janë të goditura si shkaktare të një problematike shumë serioze që e ka çuar vendin që të jetë delja e zezë jo vetëm e Evropës por edhe e rajonit. Ne bëjmë zgjedhjet më të këqija se kushdo tjetër de të dy palët duhet ta lexojnë raportin dhe të gjejnë një zgjidhje për krizën që është një reformë sa më e shpejtë dhe gjithëpërfshirëse zgjedhore, por edhe kushtetuese sepse ne duhet të dalim jashtë këtij sistemi politik që na ka çuar vendin në këtë gjendje”, është shprehur Patozi.

Partia Bindja Demokratike, e drejtuar nga Patozi, ishte e vetmja parti që mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit me kandidatët e saj për kryebashkiakë në mbi 30 bashki në vend, por nuk arriti të fitonte asnjërën prej tyre.



Skip to toolbar